Kurti i numëron vendimet e marra në mbledhjen e fundit të Qeverisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një statusi në Facebook, ka folur për vendimet e marra nga mbledhje e 138-të e Qeverisë së Kosovës, që u mbajt këtë të mërkurë. “Ndamë: 5,52 milionë euro për zbatimin e masës 2.2 Mbështetje e Bizneseve për qasje në financa të Pakos së Ringjalljes Ekonomike; 3,50 milionë euro për […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një statusi në Facebook, ka folur për vendimet e marra nga mbledhje e 138-të e Qeverisë së Kosovës, që u mbajt këtë të mërkurë.
“Ndamë: 5,52 milionë euro për zbatimin e masës 2.2 Mbështetje e Bizneseve për qasje në financa të Pakos së Ringjalljes Ekonomike; 3,50 milionë euro për financimin e 14 projekteve, për komunat: Drenas, Obiliq, Lipjan, Viti, Gjakovë dhe Klinë; 2,17 milionë euro për përmirësimin e gjendjes fizike të aseteve të trashëgimisë kulturore në rrezik dhe funksionalizimin e tyre”, ka shkruar Kurti.
Po ashtu, ai i përmendi edhe miratimin e dy projektligjeve, atë të fondeve IPA 2022 dhe për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore në Arbirtrazh.
“Miratuam dy projektligje: Për fondet IPA 2022, që i mundëson Kosovës të përfitojë 62,25 milionë euro nga BE-ja dhe për përfaqësimin e Institucioneve Shtetërore në Procedura Gjyqësore dhe Arbitrazh, për mbështetje ndaj institucioneve tona shtetërore të drejtësisë”, shkroi ai.
Ai e përmendi edhe vazhdimin e masës afirmative për regjistrimin pa pagesë të pronës edhe në emrin e gruas si bashkëpronare, që sipas tij, do të bëjë që gratë të gëzojnë të drejtën e pronës së paluajtshme.
14 prilli u shpall Ditë Memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kurse, për delegatët e legjislaturës së vitit 1990, u miratua kompensim financiar i njëhershëm në shumë prej 287 mijë euro.
Për promovim të Republikës së Kosovës u ndanë 20 mijë euro për Fondacionin Cardinal Domenico Bartolucci, si financim i pjesshëm i koncertit orkestral që do të mbahet në Vatikan.
Po ashtu, në këtë mbledhje u shkarkua Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike TrainKos Sh. A. dhe u emërua bordi i përkohshëm.















