Kurti i përgjigjet opozitës: Nuk ka e as nuk do të ketë “Zajednicë”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përballur me kritika të ashpra nga partitë opozitare, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Liderët e partive opozitare i thanë Kurtit se përkundër që më shumë se 10 vjet e ka kundërshtuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, tashmë e ka pranuar dhe po e mbron. Kurti […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përballur me kritika të ashpra nga partitë opozitare, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Liderët e partive opozitare i thanë Kurtit se përkundër që më shumë se 10 vjet e ka kundërshtuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, tashmë e ka pranuar dhe po e mbron.
Kurti iu përgjigj atyre duke thënë se nuk e ka pranuar dhe as nuk do ta pranojë, siç e ka quajtur ai “Zajednicën”.
“Prej që jam bërë kryeministër për herë të dytë, më së paku për çdo dytin muaj, deputetët thonë u bë Zajednica, e bëri, më së paku çdo të dytin muaj. Sot jam në muajin e 32-të, ku e keni Zajednicën? Me ju pas tregu dikush në vitin 2021 që në vjeshtën e 2023 s’ka, por ja që s’ka, dhe nuk ka me pasë”, tha ai.
Kurti u kritikua edhe për mungesë të transparencës sa i përket draftit evropian për Asociacionin.
Kurti në foltore tha se përfaqësues të ShBA-së dhe të BE-së i kanë thënë që të mos e publikojë atë draft.
“Krejt në fund, e kuptoj kërkesën e juaj që ta shihni draftin, kryeministër kallëzonani draftin, por emisarët evropianë dhe amerikanë më thanë mos me ua tregu. Tash a me koordinim a pa koordinim? E kam ndarë me presidenten, sepse ajo është shefja e shtetit, unë jam në koordinim të vazhdueshëm me amerikanët e evropianët, ata kanë kërku të mos ua tregoj. Jam në hall me ju, si t’ua tregoj me koordinim apo pa koordinim”, tha ai.
Kurti tutje tha se drafti i emisarëve vjen si pasojë e marrëveshjeve të kaluara, dhe se, sipas tij, ky draft është shumë më i mirë se ai i viteve 2013 dhe 2015.
“Drafti i emisarëve është për shkak të marrëveshjeve 2013 dhe 15, nuk do kishte draft nëse s’do ishin ato. Ky draft është pakrahasueshëm më i mirë se të viteve 2013 dhe 15… Përkundër kësaj, që është pakrahasueshëm më i mirë, me datën 24 tetor, ua kam dërguar kritikën time dhe vërejtjen emisarit Lajçak, dy ditë para takimit në Bruksel, e kam pranuar draftin fizikisht, dhe fizikisht e elektronikisht ia kam dërguar vërejtjen dhe kritikën për draft”, tha ai.
Tutje, kryeministri tha se në takimin e fundit në Bruksel është shprehur i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen, por një gjë të tillë, sipas tij, e ka refuzuar Serbia.
Në takimin e 26 tetorit kam thënë nëse bëhet paketa dhe paska këso urgjence globale, kryeqytet më të mirë dhe ngjarje më të rëndësishme se Brukseli dhe samiti evropian nuk ka, ta nënshkruajmë sonte.
“Kam pranuar ta nënshkruaj, vetëm nënshkrimi është pranim, ia kam bërë të qartë në takim, e dinë këtë gjë. E pranoj të nënshkruaj, por pranim i përmbajtjes dhe i zbatimit është vetëm nënshkrimi, nënshkrim nuk ka, sepse nuk mund të ketë vetëm një palë. Duhet të dy palët, nuk mundet vetëm njëra, jemi për normalizim të marrëdhënieve, nëse do kishte vetëm nënshkrim vetëm të Kosovës, kjo i bie vetëm Kosova të normalizohej, Kosova nuk ka nevojë të normalizohet, Kosova i ka marrëdhëniet abnormale me Serbinë, sepse Serbia nuk është shtet normal. Unë Serbinë nuk mund ta normalizoj, dua marrëdhëniet, ndërkombëtarët e normalizojnë Serbinë”, tha ai.
Kurti iu përgjigj edhe akuzave të tjera se po i informon më shumë ambasadorët sesa deputetët e Kuvendit.
Ai tha se ambasadorët vetëm i njofton, kurse deputetët i informon. Sipas tij, më shumë kanë informata deputetët sesa ambasadorët e vendeve evropiane.
“Unë raportoj para juve, jo para ambasadorëve, ata i kam ftuar në takim njoftues, ata kanë marrë njoftime shumë më pak se ju në seancë, dhe asgjë ndryshe që thashë kështu. Nuk ekziston asnjë informacion që e dinë ambasadorët e ju nuk i dini, por ka gjëra që ju i dini e ata jo, këtu është raportimi e atje njoftimi”, tha ai.















