Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i prekur nga aksidenti tragjik në Mestre të Italisë ku si pasojë e rënies së autobusit nga ura humbën jetën 21 persona.

Ai i ka dërguar një telegram ngushëllues homologes së tij nga Italia, Giorgia Meloni.

“I pikëlluar thellësisht nga aksidenti tragjik i autobusit të mbrëmshëm në Mestre të Italisë, i cili mori jetën e të paktën 21 personave të disa kombësive, përfshirë 2 fëmijë. I shpreh ngushëllimet e mia kryeministres së Italisë Giorgia Meloni dhe të gjithë të prekurit teksa vajtojnë të ndjerët dhe kujdesen për të lënduarit”, shkroi ai.

Deeply saddened by last night’s tragic bus accident in Mestre, Italy, which claimed the lives of at least 21 people of multiple nationalities, incl. 2 children. I extend my condolences to 🇮🇹 PM @GiorgiaMeloni & all those affected as they mourn the deceased & tend to the injured.

— Albin Kurti (@albinkurti) October 4, 2023

Të paktën 21 persona, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur pas rrëzimit të një autobusi nga ura afër qytetit të Venecias në Itali.

Autobusi është përplasur mbrëmjen e së martës në pengesë dhe më pas ka rënë në binarët e trenit në zonën Mestre, e cila lidhet me Venecian përmes një ure.

Në mesin e të vdekurve janë pesë ukrainas, një gjerman, dhe shoferi italian, ka thënë kryetari i zonës Mestre, Michele Di Bari.

Kryetari i Vencias Luigi Brugnaro, e ka përshkruar incidentin si “tragjedi të madhe”.

“Një skenë apokaliptike, nuk kam fjalë”, ka thënë ai në rrjetet sociale.

Autobusi besohet se është marrë me qira për t’i dërguar turistët në Venecia prej një kampi të afërt.