Kurti: Instituti i Krimeve të Luftës ruan 15.8 terabajt informacion – Jetike për histori e drejtësi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar këtë të hënën Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, duke e cilësuar këtë institucion si thelbësor për ruajtjen e së vërtetës historike dhe për të ndihmuar drejtësinë. Gjatë fjalës së tij para mediave, Kurti ka theksuar rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës dhe tregoi përkushtimin për […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar këtë të hënën Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, duke e cilësuar këtë institucion si thelbësor për ruajtjen e së vërtetës historike dhe për të ndihmuar drejtësinë.
Gjatë fjalës së tij para mediave, Kurti ka theksuar rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës dhe tregoi përkushtimin për ruajtjen e provave.
Ai ka njoftuar se janë grumbulluar plot 189 metra material arkivor ose 15.8 terabajt informacion, përfshirë video-xhirime, fotografi, audio-xhirime dhe tekste të ndryshme të mbledhura nga 67 burime të ndryshme.
“Kjo punë është jetike për historinë dhe drejtësinë tonë. Instituti është tani adresa e qartë për të gjithë qytetarët që kanë dokumentacione për krimet e luftës”, ka thënë Kurti, duke shtuar se përmes këtij arkivi viktimat mund të rehabilitohen dhe të njihet e vërteta historike.
“Drejtësia e munguar është padrejtësi e vazhduar”, ka theksuar ai.
Kurti foli edhe për qëndrimin e Serbisë ndaj këtyre dokumenteve, duke thënë se shteti serb vijon të mohojë krimet dhe i cilëson ato si të fabrikuara.
Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.















