Kurti: Jam mirënjohës për mbështetjen e Finlandës dhe Irlandës ndaj shtetit të Kosovës

Kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohje ndaj shtetit të Finlandës dhe Irlandës për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në rrugëtimin e saj. Sipas tij, këto dy vende kanë për t'i dhënë Kosovës përkrahje dhe bashkëpunim në shumë fusha

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën e katër korrikut, është takuar me ministren finlandeze për Çështje Evropiane, Tytti Tuppurainen dhe ministrin e Shtetit për Çështje Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne si dhe delegacionet e tyre.

Kreu i qeverisë ka shprehur mirënjohje ndaj shtetit të Finlandës dhe Irlandës për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në rrugëtimin e saj.

“Më lejoni ta shpreh gjithë mirënjohjen dhe falënderimin tim për mbështetjen e Finlandës dhe Irlandës, por edhe të të gjitha vendeve të BE-së. Ne e kemi këtë lidhje të dyfishtë, dypalëshe dhe përmes Brukselit. Jemi shumë të lumtur që ju kemi në Kosovë, në këto kohë të vështira, por kohë nga të cilat do të dalim edhe më të fortë sesa jemi aktualisht”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, BE-ja, Finlanda, Irlanda, Ballkani Perëndimor, Republika e Kosovës, kanë shumë për t’i dhënë secilit, përvoja, bashkëpunim në rritje, tregti ekonomike dhe kulturë.

Kurse, ministrja Tuppurainen duke shprehur mbështetjen e shtetit finlandez për aspiratat e Kosovës për të qenë pjesë e BE-së, ka vlerësuar edhe veprimet e Kosovës karshi Rusisë.

Tuppurianen si mike e Kosovës ka theksuar përkrahjen edhe për liberalizim të vizave dhe anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Unë kam qenë anëtare themeluese e grupit të miqësisë Kosova dhe tani është koha për ta përjetuar këtë miqësi në jetën reale këtu në Prishtinë. Po jetojmë kohë të paprecedentë. Kemi luftë në Evropë. Rusia ka shkaktuar një luftë të pamëshirshme e të paligjshme në Ukrainë, dhe kjo ka qenë një alarm për të gjithë ne për të luftuar për demokracinë”, ka thënë Tuppurianen.

Sipas saj, populli ukrainas po lufton për demokraci duke sakrifikuar jetët e tyre në fushën e betejës.

“I jemi mirënjohës Kosovës e cila ka ndërmarrë veprimet për t’u harmonizuar plotësisht me politikën e sanksioneve të BE-së kur është fjala për kundërvënien ndaj Rusisë. Kjo tregon në jetën reale, përkushtimin tuaj ndaj vlerave perëndimore, sundimit të ligjit, demokracisë, dhe të drejtave të njeriut, të cilat janë elementet thelbësore të integrimit evropian. Ne mbështesim plotësisht aspiratën tuaj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe e Bashkëpunimit Evropian”, ka thënë ajo.

Ajo, ndër të tjera, ka thënë se e mbështet Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

“Gjithashtu, ju mirëpresim që të jeni anëtar i Këshillit të Evropës”, ka theksuar ministrja Tuppurainen.

Ndërsa, Ministri Byrne tha se Irlanda mbështet perspektivën evropiane të Kosovës. Sipas tij, marrëdhëniet ndërmjet Irlandës dhe Kosovës janë shumë të mira.

“Ne mbështesim fuqishëm perspektivën tuaj evropiane, po ashtu edhe perspektivën tuaj ndërkombëtare. Dhe unë e di se perspektiva ndërkombëtare dhe evropiane e Irlandës ka qenë absolutisht vendimtare për përparimin tonë ekonomik dhe social gjatë dekadave të fundit. Irlanda, siç e dini, ishte vërtet e përkushtuar për paqen dhe sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, duke përfshirë pjesëmarrjen e vazhdueshme të trupave irlandeze në KFOR. Ne jemi të gatshëm të mbështesim zhvillimin tuaj, përparimin tuaj”, ka thënë Byrne.

Ndërsa këtë delegacion e ka pritur në takim edhe Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Ai në konferencën e përbashkët me ministren finlandeze Tytti Tuppurainen dhe ministrin Thomas Byrne, ka thënë se gjatë takimit të tyre kanë biseduar për arritjet e Kosovës në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit dhe integrimit evropian.

Bislimi ka falënderuar të dy vendet mike, Finlandën dhe Irlandën për mbështetjen e vazhdueshme.

Ai shpreson që të ketë ndihmë nga këto vende në procesin e liberalizimit të vizave dhe në procesin e anëtarësimit në Aleancën VeriAtlantike(NATO).

“Folëm për të arriturat e Kosovës që rezultojnë nga marrëveshja e stabilizim asocimit, marrëdhëniet e Kosovës duhet të forcohen me Irlandën dhe Finlandën, kemi diskutuar edhe për rritjen e investimeve direkte nga këto dy vende në Kosovë”, ka thënë Bislimi.

Sipas Bislimit, anëtarësimi i Finlandës në NATO duhet të bëhet sa më shpejt, e kjo duhet të pasojë me Kosovën.

Ai në këtë takim ka thënë se është biseduar edhe për sigurinë në Ballkan, si dhe gatishmërinë e Kosovës për ndihmë ndaj popullit ukrainas.

“Kemi shprehur gatishmërinë për 5000 refugjatë ukrainas”, ka thënë ai.

Bislimi, ndër të tjera, ka theksuar se ndihma e vazhdueshme nga këto dy vende është e mirëseardhur.

Bislimi: Anëtarësimi i Finlandës në NATO duhet të bëhet sa më shpejt, e të pasojë me Kosovën

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika