Kurti: Janë dokumentuar 12,230 viktima të luftës në Kosovë, mbi një mijë prej tyre fëmijë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës ka prezantuar raportin me listën preliminare të personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se raporti, i prezantuar nga drejtori i Institutit, Dr. Atdhe Hetemi, dokumenton gjithsej 12,230 viktima për periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999.

Sipas të dhënave të raportit, në grupmoshën nga 0 deri në 17 vjeç janë dokumentuar 1,047 fëmijë të vrarë, 94 fëmijë të vdekur si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa 100 fëmijë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur me dhunë.

Kurti theksoi se vrasja e mbi një mijë fëmijëve nuk është vetëm një statistikë tragjike, por një plagë e thellë për shoqërinë dhe një akuzë e përhershme ndaj barbarisë së luftës.

Ai shtoi se raporti dëshmon intensitetin e jashtëzakonshëm të dhunës, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të kryer nga forcat serbe, veçanërisht gjatë pranverës së vitit 1999.

Sipas Kurtit, lista është preliminare dhe do të përditësohet vazhdimisht me dokumente e dëshmi të reja, me synim ndërtimin e një baze institucionale të të dhënave që do t’i rezistojë kohës dhe do t’u shërbejë brezave të ardhshëm.

“Raporti përfaqëson njerëz, jetë, familje dhe histori, të cilët nuk mund të reduktohen në numra, por shteti ynë ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi, dinjitet dhe përgjegjësi. Kjo listë është pjesë e angazhimit për të vërtetën dhe drejtësinë. U dedikohet familjeve që kanë pritur me dekada, të mbijetuarve që kanë jetuar me dhimbjen dhe brezave të rinj që meritojnë ta njohin historinë të bazuar në fakte”, ka shkruar Kurti.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika