Kryeministri, Albin Kurti, shoqëruar nga ministri i riemëruar i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitoi pas mesnate Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku uroi prindërit e Duas, fëmijës së parë që lindi në vitin 2023.

Kurti vizitoi edhe Klinikën e Neonatologjisë ku tha se ka rënë vdekshmëria e foshnjave.

“Katër minuta pasi hymë në këtë vit të ri, në Gjinekologji këtu në QKUK, ka lindur Dua Rrustemi, vajza e Elonës dhe Arbënorit nga Drenasi, së cilës i urojmë jetë të gjatë, të shëndetshme e të lumtur, po ashtu prindërve të saj. Dua Rrustemi është qytetarja më e re e Republikës së Kosovës, e cila na e çeli vitin 2023 me këtë gëzim, i cili është jo vetëm për familjen e saj. Dhe më pastaj vazhduam edhe te Klinika Neonatologjike, ku takuam doktoreshën dhe drejtoreshën, Hajrije Ismajli, e cila na njoftoi për gjendjen në këtë klinikë, me ç’rast kuptuam se aty mortaliteti apo vdekshmëria e foshnjave ka rënë në tetë promila nga të themi rreth 40 promila sa ka qenë menjëherë pas luftës në Kosovë apo para dy dekadash. Kushtet e punës janë të mira, mbështetja e qeverisë nuk do të mungojë asnjëherë”, tha ai, shkruan KP.

Kurti u shpreh mirënjohës dhe falënderoi edhe mjekët e infermierët të cilët ishin në krye të detyrës në natën e Vitit të Ri.

“Po punojnë në një natë feste e gëzimi për të gjithë qytetarët e Republikës, dhe janë të gjithë këto shërbime publike, janë gjithë këto përkujdesje profesionale e shkencore të cilët mundësojnë që shteti ynë te funksionojë që qytetarët të kenë mirëqenie dhe që festa të jetë e plotë edhe e njëmendë. Andaj, ne pikërisht në këtë natë shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë të thellë për këta njerëz të cilët po punojnë edhe në ndërrim të moteve, të cilën ua urojmë edhe një herë te gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim”, tha ai.