“Kurti ka marrë ftesë nga Presidentja për takim dhe përgjigja është pozitive” thotë Kusari-Lila
“Albin Kurti ka marrë ftesën nga Presidentja për takim dhe përgjigja është pozitive”, ka konfirmuar deputetja, Mimoza Kusari-Lila lidhur me pjesëmarrjen e Vetëvendosjes në takimin konsultativ të ftuar nga Osmani për të enjten. Ajo ka thënë se në këtë takim do të shkohet për çështjen e konstituimit dhe jo për ndonjë marrëveshje politike. “VV-ja ka […]
“Albin Kurti ka marrë ftesën nga Presidentja për takim dhe përgjigja është pozitive”, ka konfirmuar deputetja, Mimoza Kusari-Lila lidhur me pjesëmarrjen e Vetëvendosjes në takimin konsultativ të ftuar nga Osmani për të enjten.
Ajo ka thënë se në këtë takim do të shkohet për çështjen e konstituimit dhe jo për ndonjë marrëveshje politike.
“VV-ja ka marrë ftesën dhe besoj se përgjigja është pozitive për pjesëmarrje në takim. Takimi nënkuptohet se është për konstituim të Kuvendit sepse s’mundet që zyra e presidentes të përdoret për marrëveshje politike por që të diskutohet ky proces këtu që po dështon”, ka thënë fillimisht ajo pas dështimit të 15-të të konstituimit të Kuvendit.
Më pas ajo ka përsëritur se Kurti është përfaqësues i VV-së në këtë takim teksa sërish ka akuzuar partitë opozitare për mosvotim të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Një ditë më parë, edhe partitë tjera shqiptare konfirmuan përgjigjet pozitive në ftesën e Osmanit.
Ndryshe, Sërish ka vazhduar ngërçi politik në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku partitë opozitare kanë refuzuar propozimin e kandidatëve për Komision ad-hoc të verifikimi të mandateve të deputetëve por edhe votimin e këtij komisioni.
“56 pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim, ska korum, shihemi me 15 maj në 10:30”, njoftoi Dehari.
Për dështimin e 15-të edhe disa krerë të partive opozitare njoftuan paraprakisht, pasi që sipas tyre, grupi me 48 ulëse të siguruara të Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka numra të siguruara për vazhdimin tutje,.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve. Në herët e shkuara, Lëvizja Vetëvendosje si subjekti më i madh nga zgjedhjet ka propozuar emrin e Albulena Haxhiut e cila nuk mori mbështetjen nga deputetët. Më pas, propozimi ishte që të kalohet në votim të fshehtë e që nga ajo kohë nuk ka shumicë për të formuar komisionin për të ndryshuar metodën e votimit. Pikërisht kjo kërkesë për ndryshim të mënyrës së votimit është dërguar në Gjykatën Kushtetuese një ditë më parë nga përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në këtë seancë u mbajt edhe një minutë heshtje për Tahir e Nebih Mehën në përvjetorin e rënies së tyre. Kjo nuk u respektua nga Lista Serbe.















