Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje [VV] dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën hyrëse të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij ka diskutuar për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit.

Kurti ka thënë se LVV-ja gëzon përkrahje të madhe qytetare dhe se do të synojë të arrijë edhe gjysmë milioni vota në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Megjithatë Kurti ka thënë se duhet pasur parasysh se në zgjedhjet e reja të gjitha partitë fillojnë nga pika zero dhe se duhet punuar për të arritur numrin e votave që VV kishte marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 e ndoshta edhe më shumë.

Ai ka thënë se përgjatë mandatit të qeverisës, Bruto Produkti Vendor është rritur për 33 për qind, ndërkaq buxheti i shtetit është rritur për 35 për qind.

“Pas tri viteve e gjysmë qeverisje, ndihemi krenar për sukseset e arritura. Kosova sot është mirë se sa e gjetëm në pranverën e vitit 2021 dhe njëkohësisht është në rrugë të mbarë për zhvillim e përparim të vazhdueshëm. Jemi zotuar për punësim. Këtë e bëmë dhe po e bëjmë me krejt çfarë dimë dhe çfarë mundemi. Kjo vjeshtë e gjen Kosovën me 425 mijë të punësuar, ndërkaq kur filluam të qeverisim ishin 350 mijë të punësuar. Këta 75 mijë të punësuar për tre vjet e gjysmë nuk do të mbërrinin pa u rritur ekonomia dhe pa shpërndarjen që kemi bërë”, u shpreh Kurti, teksa rritje sipas tij ka pasur edhe në të hyrat tatimore.

“Në njërën anë, ekonomia e Kosovës përkatësisht Bruto Produkti Vendor është rritur për 33 për qind, ndërkaq buxheti i shtetit është rritur për 35 për qind. Të hyrat tatimore sivjet janë gati 40 për qind më të larta se sa në vitin 2021. Eksportet janë dyfishuar, ndërsa investimet e huaja më shumë se dyfishuar. Në anën tjetër kemi shpërndarë 1.3 miliard euro tek qytetarët dhe bizneset përmes masave të shumta, me ç’rast Banka Botërore ka konstatuar se Kosova kishte pakon mbështetëse më të madhe në Ballkan”, deklaroi Kurti.

Kurti është shprehur i sigurt në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme, madje ka thënë se pret rezultat edhe më të mirë.

“Shumica dërrmuese e popullsisë vazhdon të na mbështesë së paku sa pranverën e 2021 e mbase edhe më shumë. Që të gjithë duhet të punojmë t’i mbledhim ato vota që u afrohen gjysmë milioni të votave. Të mos llogarisim që i kemi ato mbi 400 mijë votave, ne duhet ta mbërrijmë atë që kemi arritur dhe ta tejkalojmë sepse na nevojitet shumica e qëndrueshme për vazhdimin e reformave të thella. Duhet të jemi të vëmendshëm që këtë sukses do të tentojnë ta zbehin e minimizojnë përmes formave të ndryshme e më së shpeshti përmes shpifjeve”.

“Kjo do të jetë me e thellë dhe më e gjerë se më 2021”, ka thënë Kurti.

Kurti ka lëshuar edhe një thirrje për anëtarët e partisë së tij që të mos garojnë mes vete. Ai ka thënë se nuk duhet të ketë garë me njëri-tjetrin, sepse kështu “i gjithë zinxhiri organizativ mund të pësojë”.

“Si Qeveri jemi më të përgatitur se kurrë kur flasim, bashkëbisedojmë e dëgjojmë qytetarët, duke mos pasur asnjë shkelje qeverisëse. Këtë sentiment të qeverisjes me organizatën duhet ta kenë edhe ministrat e zëvendësministrat. Duhet të jemi të përgatitur t’i kanalizojmë rezultatet. Duhet të kuptojmë që gara me njëri tjetrin nuk na shërben neve dhe qytetarëve”.

Ka përmendur edhe deputetët, duke thënë se duhet ta lexojnë situatën dhe idetë para se t’i futen garës zgjedhore.

“Të njëjtin mesazh për pikëvështrim duhet ta përcjelli edhe tek deputetët tane. Pavarësisht miratimit të ligjeve e punës që është bërë ka pasur nganjëherë edhe mospajtime e ngecje të koncentruara më shumë te disa. Ja kemi borxh qytetarit ta pranojmë atëherë kur idetë nuk na përputhen, shpresoj qe kandidatët e deputetet e ardhshëm ta lexojnë situatën dhe idetë mirë para se t’i futen garës. Nuk mund të fitosh në një mënyrë derisa ta realizosh një qëllim të përbashkët për ta degraduar atë në një synim individual…. Transformimet e këtilla duhet të kritikohen e organizohen në organizatën tonë. Një reflektim stoik i brendshëm te gjithsecili prej nesh është i pritshëm dhe i domosdoshëm. Duke u përpjekur ta mashtrojmë tjetrin mashtrojmë vetëm vetveten”, ka theksuar Kurti.