Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se mungesa e një marrëveshjeje me Nismën Socialdemokrate për bashkëpunim paszgjedhor erdhi si rezultat i një parakushti të vendosur nga kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj.

Në një intervistë për RTK, Kurti ka thënë se Limaj kishte kërkuar që pozita e kryeparlamentarit t’i takonte Nismës, gjë që, sipas tij, do të dëmtonte arkitekturën ekzistuese të koalicionit të Vetëvendosjes me partitë Guxo dhe Alternativa.

“Unë kam pasur takime me kryetarin Limaj, takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi, mirëbesimi, vullneti për të bashkëpunuar, mirëpo nuk ka pasur marrëveshje, thjesht për shkak të insistimit si shkak i një parakushti për bashkëpunim në të ardhmen me pozitën e kryeparlamentarit. Unë jam në koalicion me partinë Guxo e Alternativa. Guxo i ka 6 deputetë e një partie me 3 deputetë t’ia japim kryeparlamentarin kur e ka koalicionin me një parti qe e ka dyfishin për nga numri i  deputetëve, kjo e dëmton arkitekturën paraprake”, ka thënë Kurti.

Kurti përmendi gjithashtu se pjesëmarrja e Nismës në zgjedhje në kuadër të një koalicioni me AAK-në i ka mundësuar kësaj të fundit kalimin e pragut zgjedhor.

“Lajm është se Fatmir Limaj, komandant Çeliku, siç njihej gjatë luftës është kthyer në Kuvendin e Republikës, që Nisma Socialdemokrati që do të duhej të jetë parti simotër me LVV-në i ka tre deputetë në Kuvendi e Republikës. Por,  le mos ta harrojmë edhe një gjë tjetër, por njëkohësisht i mundësoi AAK-së  të kalojë pragun. Pa Nismën, AAK-ja kësaj radhe do të mbetej nën prag”, ka shtuar Kurti.