Kurti kërkon Gjykatë Speciale për “klanin e Novi Sadit” që sipas tij e kreu sulmin terrorist në Banjskë
Kryeministri i Kosovës ka dhënë detaje të reja në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit. Ai tha se sulmin terrorist e kreu “Klani i Novi Sadit”, në krye të tij sipas Kurtit është ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. “Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i […]
Kryeministri i Kosovës ka dhënë detaje të reja në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Ai tha se sulmin terrorist e kreu “Klani i Novi Sadit”, në krye të tij sipas Kurtit është ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq.
“Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës, tutje kërkoi një Gjykatë Speciale për këtë grup i cili sipas tij e kreu sulmin terrorist.
“Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, tha ai.
Kurti tutje theksoi se terroristëve MUP-i i Serbisë iu ka ndarë vetura me tabela të regjistrimit BG dhe NS
“Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS”, tha Kurti.
Kurti u shpreh se në të kaluarën në Serbi sundonte një “Klan” tjetër por me qëllime të njëjta.
“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, tha Kurti.
Kryeministri tutje i përmendi edhe kriminelët të cilët sipas tij kanë vepruar “deri dje” në veri.
“Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj”, tha ai.















