Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar lirimin e tyre.
Kurti vlerëson se pesë vjet pritje arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”, teksa shton se Prokuroria ka përfunduar rastin dhe më nuk ka dëshmitarë për cka sipas tij s’ka as arsye ligjore e as morale të Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi të mbetën në burg, njofton Dukagjini.
“Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë. Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”. Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim. Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet”, ka shkruar Kurti.
Mes tjerash, Kurti ka thënë se si kryeministër, Zyra e tij ka kërkuar lirimin që nga fillimi për cka ka bërë publike për herë të parë edhe një letër drejtuar kryetarës së Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova.
“Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar. E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje”.
Tutje, Kurti u zotua se kërkesat qëndrojnë ende teksa u shpreh se në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre.