Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se prezenca e një shtypi të lirë, e njëherit të pavarur, mbetet një shtyllë e rëndësishme e demokracisë.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se Kosova përmirësoi pozicionin e saj me 22 vende më lart në 2 vjet për mjedisin e saj gazetaresk.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ne jemi krenarë të njoftojmë se sipas Reporterëve pa Kufi ,(@RSF) Kosova përmirësoi pozicionin e saj me 22 vende në 2 vjet për mjedisin e saj gazetaresk. Një shtyp i lirë dhe i pavarur do të mbetet gjithmonë një shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe e vendit tonë”, ka shkruar Kurti.

On World Press Freedom Day we're proud to announce that according to Reporters without Borders (@RSF) 🇽🇰 improved its standing by 22 places in 2 years for its journalistic environment. A free & independent press will always remain an important pillar of democracy & our country. pic.twitter.com/FJUGZjq5sA

— Albin Kurti (@albinkurti) May 3, 2023

Më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, një urim për gazetarët ka ardhur nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Ai ka thënë se 3 maji është dita kur duhet t’i rikujtojmë sfidat e shumta, me të cilat, përballen gazetarët në Kosovë dhe se të njëjtit nuk duhen ndaluar së ushtruari detyrën e shenjtë të tyre.

Krasniqi nuk është i vetmi lider opozitar i cili ka uruar gazetarët në këtë ditë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur në mbrojtje e respekt të fjalës së lirë, si vlerë e panegociueshme e demokracisë.

Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se sipas tij, shqetësuese mbeten sulmet që iu bëhen gazetarëve nga disa eksponentë të pushtetit.

“Shqetësuese mbeten sulmet që i bëhen gazetarëve e mediave dhe tendenca nga disa eksponentë të pushtetit për kontroll ndaj tyre! Jemi në krah të tyre, në mbrojtje e respekt të fjalës së lirë, si vlerë e panegociueshme e demokracisë”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka theksuar se mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme.