Në ceremoninë e organizuar për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e ruajtjes së traditës dhe nderimit të sakrificës së dëshmorëve.

Kurti ka thënë se kjo mënyrë ceremoniale e kujtimit të kësaj dite ruan një traditë të nisur prej 27 vjetësh nga UÇK-ja.

“Sot në 27 vjetorin e epopesë së UÇK-së, ne vazdojmë ta ruajmë pothuajse se të njëjten traditë. Vetëm se skenarin dikur të organizuar nga UÇK, e kemi formalizuar në protokollin e shtetit të Republikë së Kosovës. Këtij shteti për të cilin u luftua dhe u flijua aq shumë…

Rreshtimi juaj sot ku janë ulur bashkë anëtar e familjes Jashari e krerë institucional krijon një skenë ceremoniale që e ruan një traditë të nisur prej 27 vitesh. Rreshtimi ka traditën nga 6 marsi 1999. Po ju drejtohem në mënyrë konvencionale si ushtria e Kosovës sepse kësisoj e kanë quajtur vetën e tyre grupi i armatosur i Adem Jasharit”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se një nga detyrat kyçe për ruajtjen e lirisë së fituar me gjakun e dëshmoreve dhe martirëve të popullit tonë ka qenë dhe vazhdon të mbetet fuqizimi i ushtrisë së Kosovës.

“Që nga çlirimi i atdheut tonë në qershor 1999 dhe deri më sot e tutje një nga detyrat kyçe për ruajtjen e lirisë së fituar me gjakun e dëshmoreve dhe martirëve të popullit tonë ka qenë dhe vazhdon të mbete fuqizimi i ushtrisë së Kosovë, sot me ngazëllim mund të konstatoj se qysh nga viti 1989 kur Adem Jashari me shok filluan të flasin e të punojnë për në ushtri të Kosovës dhe deri sot kurrë nuk kemi pasur një ushtri më të fort, më të armatosur, me ta pajisur dhe më të trajnuar se sa sot”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka theksuar se Kosova duhet të mbetet e lirë dhe e fortë, siç e ëndërroi Adem Jashari me shokë.

“E paçim Kosovën të lirë dhe të fortë siç e ëndërroi Adem Jashari me shokë. Dhe siç na takon ne, brezave të sotshëm, tua lëmë trashëgim bresave që do të vijnë. Rroftë Kosova Republikë dhe mbarë kombi ynë përjetë të jetëve”, ka thënë Kurti.