“Populli i Kosovës ka pritje të mëdha nga Republika Çeke dhe lidershipi i saj për të mbyllur çështjen e kahershme të liberalizimit të vizave, dhe për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve kosovarë në Evropën kontinentale”, kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar me rastin e marrjes së presidencës së Bashkimit Evropian nga Çekia.

Ai ka theksuar se Kosova, si i vetmi kandidat potencial për Bashkimin Evropian(BE), i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE, gjithashtu pret me padurim për të punuar ngushtë në gjashtë muajt e ardhshëm, ndërsa përgatit aplikimin për anëtarësim në BE.

“Kjo presidencë ka një agjendë sfiduese dhe ambicioze, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, sigurinë energjetike, mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta demokratike. Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga BE, ashtu siç jam unë sot i rrethuar nga ju. Ne ndajmë jo vetëm kufij të përbashkët, por edhe histori të përbashkët, vlera dhe të ardhme të përbashkët”, ka thënë Kurti.

Ndër të tjera, Kurti ka thënë se Kosova është i vetmi kandidat potencial për BE, i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE.

“Ne gjithashtu presim me padurim të punojmë së bashku ngushtë në gjashtë muajt e ardhshëm, ndërsa përgatitim aplikimin tonë për anëtarësim në BE”, tha ndër të tjera ai.

Ndërsa, ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën, do të jetë ndër prioritetet në agjendë, gjatë kryesimit të Këshillit të Evropës nga Çekia, e cila ka nisur më 1 korrik.

Sipas tij, prioritet do të jetë edhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

“Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet, duke mbështetur procesin e anëtarësimit. Liberalizimi lart në agjendë gjatë presidencës së Çekisë. Po ashtu edhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Bilek, gjatë prezantimit të prioriteteve të Çekisë gjatë këtij kryesimi.

Ndërkaq, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se janë të lumtur që aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat do të ndodhë gjatë presidencës çeke.

“Jemi të lumtur që aplikimi për statusin e vendit kandidat do të ndodhë gjatë presidencës çeke. Dëshira historike për t’u bashkuar në BE është e njohur, por duhen hapa dhe udhërrëfyes konkret për të arritur atje. Sa i përket vizave kemi përmbushur të gjitha kriteret tani i takon BE-së të vendosë”, është shprehur Osmani.

Ndërsa, Tomas Szunyog, shefi i BE-së për Kosovë, ka thënë se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin.

“Për ne politika e zgjerimit ështe investim gjeostrategjik dhe BE nuk është e plotë pa Ballkanin. Po presim hapin final për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi janë përmbushur të gjitha kriteret”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, duke filluar nga një korriku, Çekia do të marrë kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili do të zgjasë deri në fund të këtij viti.

Kjo është hera e dytë që Çekia merr kryesimin e BE-së, qëkur është bërë anëtare e bllokut në vitin 2004.

Qeveria çeke ishte rrëzuar përgjatë kryesimit të vitit 2019, por kryesimi i vendit me BE-në është vlerësuar si i suksesshëm.

Pritet që Çekia të organizojë një takim të liderëve në Pragë, më 6 tetor, kur do të diskutohet për “Evropë më të gjerë”.

Çekia në krye të Këshillit të BE-së, prioritet edhe liberalizimi i vizave për Kosovën