Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se Kosova këtë javë do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Para një viti në takimin vjetor të këshillit në kuadër të marrëveshjes për Stabilizim Asociim në Bruksel, bëmë të ditur se këtë vit do të aplikojmë për në BE. Sot në mbledhjen e 112 të qeverisë po bëjmë të ditur se aplikimin për në BE do ta bëjmë këtë javë”, ka deklaruar ai.

Kurti u shpreh se Kosova është radhitur në vendin e parë në rajon sa i përket sundimit të ligjit dhe demokracisë.

“Siç e dini ne jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor,  që po aplikojmë në BE edhe pse jemi vendi i parë në rajon për nivelin e sundimit të ligjit, lirisë dhe demokracisë. Ka ardhur koha që statusin potencial kandidat që na është njohur kohë më parë ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat duke kaluar në një fazë të re me BE-në”, ka deklaruar Kurti.

Hyrja në BE, sipas Kurtit është në përputhje me aspiratat e qytetarëve të Kosovës.

“Para një jave në Samitin e BE-së, në Tiranë, në deklaratën e përbashkët BE bëri thirrje për përshpejtim të anëtarësimit. Aplikimi për në BE në njërën anë është përgjigje ndaj premtimit të BE-së që i ka dhënë për anëtarësim të rajonit nga Samiti i Selanikut në vitin 2003, por edhe përgjigje direkt ndaj thirrjes para një jave në samitin e Tiranës”, ka deklaruar ai.

Kurti ritheksoi se krahasuar me vendet e rajonit Kosova është më e përgatitura për anëtarësim në këtë organizatë.

“BE është vend i paqes, barazisë, sigurisë, prandaj Kosova e ka vendin natyrshëm aty si një vend paqedashës”, ka thënë ai.