Kurti kujton 26-vjetorin e aksionit të dytë policor serb në Prekaz

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar 26-vjetorin e aksionit e dytë të policisë serbe mbi familjen e Shaban Jasharit në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar 26-vjetorin e aksionit e dytë të policisë serbe mbi familjen e Shaban Jasharit në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka shkruar se më 22 janar të 1998-s, kur nisi policia serbe aksionin, nuk e kishte planifikuar një gjë – që familja Jashari nuk dorëzohej në luftën për të jetuar në liri.

“Aksioni filloi me tri predha të hedhura nga distanca: një në dyer të oborrit, një në ahur dhe një në oborr. Pastaj një seri predhash dhe rafale plumbash u shtien në drejtim të shtëpive të Shaban Jasharit, duke ndriçuar në errësirën e atij mëngjesi të hershëm dhe të ftohtë të janarit, në fshatin e terrur pa rrymë elektrike. Ademi nuk ishte aty, kishte qëlluar te daja i tij Osman Geci në Llaushë. Nën dritën e zjarrit të stufës në odë, Shabani me tre nipat e tij, Fitimin (17), Kushtrimin (13) dhe Besimin (16), i mbushën armët dhe nisën të rezistojnë. Në anën tjetër të oborrit, nga dritaret e thyera prej sulmeve, Hamza luftoi me automatik dhe duke hedhur disa bomba dore në drejtim të policëve që kishin hyrë në oborr. Nëna Zahide me gratë dhe fëmijët, po mbroheshin brenda në shtëpi, siç rrëfeu më pas ajo vet: ‘Ishim duke u bërë gati të flemë pas syfyrit, kur përnjëherë oborri u zdritë edhe nisën krismat. U mblodhëm me fëmijët dhe gratë dhe u strehuam në një dhomë. Dy mbesa më janë plagosur, por shpëtuam nga vdekja’. Atë ditë, plumbat e policëve serbë i qëlluan duke i plagosur Selvete Hamëz Jasharin (20) në shpinë dhe Iliriana Rifat Jasharin (25) në dorë”, ka shkruar ai.

Kurti më tej ka thënë se gjithçka ka ndodhur brenda gjysmë ore, derisa policët kanë nisur të tërhiqeshin me të plagosur në mes tyre dhe duke lënë pas në oborrin e shtëpive të Shaban Jasharit predhahedhës dhe municione.

“Në tërheqjeje e sipër, policia shtiu dhe e vrau Hysen Manxhollin, një 55 vjeçar nga fshati Mikushnicë, e i cili po shkonte në punë në fabrikën e tjegullave në Skënderaj. Dy ditë më pas, më 24 janar, Hysenin e varrosën në Mikushnicë 20.000 njerëz. Autoritetet shtetërore të Serbisë heshtën për vrasjen dhe plagosjet, duke e aktivizuar propagandën për ‘terroristët shqiptarë’ që e kishin sulmuar policinë dhe që pastaj kinse ishin tërhequr në shtëpinë e Shaban Jasharit prej ku kishin rezistuar”, ka shkruar më tej ai.

Sipas Kurtit, dhjetëra reportazhe gazetash dhe kronika televizive u realizuan në ditët në vijim duke e dëshmuar të vërtetën e atyre ngjarjeve.

Kreu i Qeverisë ka thënë se sot e në çdo përvjetor kujtohen këto ngjarje, sepse janë kapituj historie “në rrugën e gjatë të shqiptarëve për t’u çliruar nga Serbia dhe për të jetuar të lirë”.

Shija e redaktorit

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

Të fundit nga rubrika