Kurti kujton tre dëshmorët e shkollës shqipe në fshatin Uçë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kujtuar tre dëshmorët e shkollës shqipe në Uçë të Istogut në rastin e 31 vjetorit të rënies së tyre. Tre dëshmorët e rënë të kësaj shkolle janë Bajram Hoxha, Hasan Hysenaj e Muharrem Hysenaj. Kurti ka njoftuar se të martën e 31 janarit është përuruar objekti i shkollës së […]
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kujtuar tre dëshmorët e shkollës shqipe në Uçë të Istogut në rastin e 31 vjetorit të rënies së tyre.
Tre dëshmorët e rënë të kësaj shkolle janë Bajram Hoxha, Hasan Hysenaj e Muharrem Hysenaj.
Kurti ka njoftuar se të martën e 31 janarit është përuruar objekti i shkollës së re në këtë fshat që edhe mbanë emrin “Tre dëshmorët e shkollës shqipe”.
I pari i ekzekutivit u shpreh se rënia e këtyre tre dëshmorëve ka ngritur rezistencën për hapjen e shkollave shqipe që i kishte mbyllur pushteti serb.
“Rënia e tre dëshmorëve në Uçë ngriti rezistencën për hapjen e shkollave shqipe, të mbyllura nga pushteti shovinist i Serbisë anembanë Kosovës. Varrimi i tyre qe zgjim kombëtar. U nderuan me një ceremoni ku nxënësit recituan poezi në shqip, u mbajtën fjalime e u ngrit flamuri kombëtar mbi minarën e xhamisë së fshatit Uçë”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Tutje, Kurti ka treguar se si kanë vdekur tre dëshmorët derisa ishin duke shkuar në shtëpi-shkollat e quajtura atë kohë ku mbahej mësimi.
“Në mëngjesin e 31 janarit të vitit 1992, teksa një grup nxënësish filloristë po shkonin në shtëpi-shkolla për të vijuar mësimet, gjatë rrugës kryesore të fshatit Uçë në Istog, ndalohen nga policia serbe. Ndaj nxënësve u ushtrua dhunë psikike përmes kërcenimeve e sharjeve. Pastaj policët serb maltretuan nxënësit edhe fizikisht. Me t’i dëgjuar britmat e nxënësve, në mbrojtje të tyre dalin banorët e shtëpive në afërsi. Pas rezistencës së tyre karshi policisë dhe kërkesës së tyre për t’i lënë nxënësit e lirë për të shkuar në shkollë, qëllohen për vdekje: Bajram Hoxhaj vdes në vend, Muharrem Hysenaj vdes rrugës për në spital e Hasan Hysenaj vdes pas disa ditësh. Të plagosur mbeten: Imer dhe Azllan Hysenaj. Gjatë ditëve në vijim, policia serbe burgosi e torturoi disa nga familjarët e të vrarëve dhe të plagosurve”, ka shkruar kryeministri Kurti.















