Vetëm dy ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka dalë me njoftim se shenjat e gishtërinjve të personit të vrarë në Serbi, përputhen pikërisht me ato të Faton Hajrizit.

Por, këtë të fundit kryeministri i vendit Albin Kurti, po kërkon që të mos cilësohet si hero.

“I ftoj qytetarët të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizi. Patriot në Kosovë është rreshteri Afrim Bunjaku, që u vra në Banjskë të Zveçanit. Heronj janë 23 pjesëtarët e Policisë të rënë në krye të detyrës që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë”, ka deklaruar Kurti.

Televizioni Dukagjini mësoi përmes burimeve se kur kishte ndodhur vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, Serbia kishte dërguar një mjek të vetin gjatë kohës kur po kryhej autopsia e trupit të tij në Kosovë.

E, nëse Kosova ka bërë një kërkesë të tillë, MPJD-ja nuk përgjigj në pyetjet e dërguara nga televizioni këtë të mërkurë.

Njëjtë veproi edhe ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.

Për dallim me mediat, MPJD duket se është duke punuar ngushtë me avokatin Arianit Koci për sjelljen e trupit të Hajrizit në Kosovë.

Kështu thotë Koci, i cili këtë të mërkurë tregon se shkon në Serbi.

“Ky është një angazhim i imi, për një rast humanitar, unë po e sjelli kufomën e një kosovari që ka drejt me u varros në Kosovë, trupi i tij tash gjendet në Serbi, edhe pse kom pritë që disa institucione pak më shumë më ofrojnë ndihmë”, ka thënë Koci.

Koci thotë se nuk e di sa mund të zgjasë sjellja e trupit të Hajrizit vendlindje.

Por, sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli ka lënë të nënkuptohet se Koci pak mund të ndikojë në sjelljen e trupit të Hajrizit, pasi që odat e avokatëve të të dyja vendeve nuk bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Për këtë, Koci ka një përgjigjeje.

“Kjo nuk është një çështje e cila, do të merr një epilog në gjyq, unë jam përfaqësues i familjes, nuk do të bëjë veprime që do të ketë veprime me gjykatat në Serbi, nuk besoj që ka ndonjë problem rreth statusit tim”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, avokati Armend Shkoza thotë se Serbia nuk do të lejonte kurrë që në autopsinë e Hajrizit të marrë pjesë ndonjë mjek nga Kosova.

“Dhënia e përgjigjeje në këtë drejtim është e vështirë më shumë kur kemi të bëjë me dy vende që  fare mardhënie diplomatike”, ka thënë ai.

Institucionet e Kosovës vazhdimisht u bëjnë thirrje qytetarëve që lajmet nga Serbia për rastin e Hajrizit të merren me rezervë, deri në konfirmimin e plotë të tyre.