Kurti: Lidhja e zonave rurale në internet brezgjerë – një hap përpara zhvillimit të vendit
Për të shënuar shtrirjen e infrastrukturës telekomunikuese brezgjerë në tërë territorin e Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizitoi fshatin Herticë të Komunës së Podujevës. Kryeministri Kurti ka thënë se në fillim të pranverës po shënohet një e arritur e rëndësishme për vendin, lidhjen e fshatit të […]
Për të shënuar shtrirjen e infrastrukturës telekomunikuese brezgjerë në tërë territorin e Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizitoi fshatin Herticë të Komunës së Podujevës.
Kryeministri Kurti ka thënë se në fillim të pranverës po shënohet një e arritur e rëndësishme për vendin, lidhjen e fshatit të fundit në internet brezgjerë.
“Po realizojmë një objektiv kyç që ka të bëjë me një nga parimet kryesore të qeverisjes sonë, e që është gjithëpërfshirja. Në rrugëtimin tonë drejt digjitalizimit është me rëndësi që askush të mos mbetet prapa”, është shprehur kreu i Qeverisë.
Kryeministri ka theksuar se Qeveria po sigurohet që përfitimet nga digjitalizimi i gëzojnë të gjithë qytetarët pa dallim rajoni, gjinie, etnie, apo statusi ekonomik.
Ai ka potencuar se duke investuar në infrastrukturën brezgjerë, po thyhen barrierat dhe po sigurohet që të gjithë qytetarët të kenë qasje të barabartë në botën digjitale.
Përtej digjitalizimit në qeveri, kryeministri theksoi se synohet mbështetja e ekonomisë digjitale, si faktor i rëndësishëm i rritjes ekonomike.
“Zhvillimi i qeverisjes dhe ekonomisë digjitale kërkon infrastrukturë e shkathtësi, dhe një ekosistem të gjerë inovacioni dhe se përmes programit të Ekonomisë Digjitale të Kosovës – KODE, me mbështetje të Bankës Botërore, Ministria e Ekonomisë është angazhuar në krijimin e këtyre parakushteve. Falë këtij programi, tashmë janë trajnuar mbi 400 të rinj e të reja në fusha të ndryshme të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, përderisa deri në fund të programit ky numër do të arrij në 2,000. Gjithashtu është mundësuar lidhja në internet brezgjerë të 201 fshatrave, 107 shkollave dhe 43 ambulancave, që më parë nuk kanë pasur një lidhje të tillë”, tha ai.
Kjo lidhje e zonave rurale, duke përfshirë edhe ato më të thella, në internet brezgjerë, sipas të parit të ekzekutivit nuk është vetëm një projekt infrastrukturor.
“Është një hap përpara në rritjen dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të shtetit tonë. Është një qasje në shërbime, mundësi për arsim e kujdes shëndetësor më të mirë, dhe prosperitet ekonomik në çdo cep të vendit”.
Ai theksoi se nga tani Kosova është vendi më i mbuluar me infrastrukturë brezgjerë – është kampione në regjion dhe e krahasueshme me shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian për shtrirje dhe përdorim të internetit brezgjerë.
Duke folur për angazhimin e Qeverisë, Kurti theksoi se shpejti do ta inaugurojnë Parkun e Teknologjisë Digjitale në Bërnicë, i cili do të ofrojë një platformë të re të rëndësishme për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë.
Ky park, sipas tij, është edhe një investim i Qeverisë në ekosistemin e inovacionit, krahas investimit të vazhdueshëm së bashku me qeverinë gjermane në Parkun e Inovacionit dhe të Trajnimeve në Prizren.















