Kurti: Marrëveshja e Brukselit është njohje de-facto e Kosovës nga Serbia
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur raportimin të premten në Kuvendin e Kosovës, për takimin e fundit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ai ka theksuar se marrëveshja siç “edhe është thënë hapur nga deklarata e krerëve të vendeve të BE-së, pas takimit në Bruksel që e kishim më 26 tetor është marrëveshje […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur raportimin të premten në Kuvendin e Kosovës, për takimin e fundit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka theksuar se marrëveshja siç “edhe është thënë hapur nga deklarata e krerëve të vendeve të BE-së, pas takimit në Bruksel që e kishim më 26 tetor është marrëveshje për njohje de-facto të Kosovës nga Serbia”.
Po ashtu, sipas tij, kjo marrëveshje është vetëm rezultat i dy viteve dialog në këtë proces.
“Pra, kemi arritur vetëm një marrëveshje e cila sjell njohje de-facto të Kosovës nga Serbia, dhe ky është rezultati i dy viteve dialog. Marrëveshja bazike e 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksit të saj më 18 mars në Ohër, në gjashtë rreshtat e Preambulës dhe pesë nenet e para e ka njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia. Pesë nenet e tjera janë përgjithësisht përfituese për ty palët, dhe vetëm neni shtatë ndërlidhet me trashëgimin nga dialogu i dekadës së kaluar”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, neni shtatë i dialogut është, po ashtu, rezultat i dialogut në këto dy vite, “pa nenin shtatë do të përfundonim vetëm me nenin dhjetë për marrëveshjet e kaluara”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë para deputetëve se sfida kryesore në këtë proces është trashëgimia 10-vjeçare e dialogut, e cila, sipas tij, nuk kishte sjellë integrim të veriut e as marrëveshje për njohje.
“Të gjitha marrëveshjet që janë arritur e që janë, gjithsej, 38 sosh, janë bërë në supozimin normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë e për integrimin e veriut të Kosovës. Dy marrëveshje, ajo e viti 2013 si dhe ajo e vitit 2015 për Asociacionin, por asnjë marrëveshje për njohjen e Kosovës. Nuk ndodhi asnjë njohje e dokumenteve e shtrirja e sovranitetit, e ndërkohë që integrimi i veriut ishte fasadë, atje përveç që mbaheshin referendume e zgjedhje të Serbisë, shpërfilleshin ligjet e Kosovës, lulëzonte edhe krimi e korrupsioni. Në vend të sundimit të ligjit sundonte Milan Radojçiqi, si udhëheqës i bandave kriminale e terroriste, dhe kjo ishte pasojë dialogut, as marrëveshje për njohje dhe as integrim i veriut. Nga marsi i vitit 2021 ku e kemi marrë qeverinë, kemi thënë se na duhet një qasje e re në dialog, një qasje parimore si palë të barabarta ku në qendër është njohja reciproke”, ka deklaruar ndër të tjera Kurti.
Gjithashtu, Kurti ka deklaruar se ka ofruar ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë të 27 shkurtit, por se presidenti serb ka refuzuar.















