Kurti: Marrëveshja për Asociacionin, e vetmja që s’e ka kaluar testin e Kushtetueses

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për takimin që të mërkurën mbrëma e ka zhvilluar me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak. Ai ka thënë se nuk do të tolerohet që në këtë proces, Asociacioni i komunave më shumicë serbe të vihet si parakusht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (Foto: Mehmet Krasniqi)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten e 26 janarit se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është marrëveshja e vetme e nënshkruar në Bruksel që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë nënshkruar më 2013 marrëveshjen për formimin e asociacionit. Më 2015 është nënshkruar një marrëveshje tjetër, për siç është thënë, parimet e këtij asociacioni.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën, por që nenet mund të harmonizohen.

Ndërkaq, Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ashtu siç është nënshkruar më 19 prill 2013, e më pas edhe i elaboruar në shtatë kapituj më 2015, të theksohet më shumë, por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, sepse është e vetmja marrëveshje, nga 33 marrëveshjet e Brukselit, që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kurti.

“Tash procesi negociator duhet të na shpjerë përpara. Unë e respektoj konfidencialitetin e bisedimeve, por po e riktheksoj që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierakik dhe nenet në propozimin e BE-së kanë numra përpara që do të thotë se kanë renditje”, ka vijuar Kurti.

Ai ka ripërsëritur se marrëveshja finale me Serbinë duhet të ketë njohjen reciproke në qendër.

“Marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka folur para gazetarëve edhe për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ai duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.

“Diplomacia fluturuese u është bashkëngjitur edhe takimeve të nivelit të lartë për propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i ka pesë fjali në preambulë dhe 10 nene gjithsej. Kur e patëm marrë ne atë më datën 9 shtator, patëm thënë që është bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme, është një kornizë e platformë dhe e cila na mundëson që të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator i bisedimeve, në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje. Ajo se çfarë ne theksojmë është që në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj një marrëveshjeje tjetër”, ka deklaruar Kurti.

Ndryshe, kryeministri të mërkurën mbrëma ka takuar Lajçakun, i cili pas takimit ka deklaruar se me kryeministrin dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi, u dakorduan për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.

“U ktheva në Kosovë sot për t’i vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bisnik Bislimin, për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu u dakorduam që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të zbatohen plotësisht”, ka shkruar Lajçaku në Twitter.

 

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika