Në ditën e parë të vizitës në Washington DC, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Senatorja Joni Ernst.

“Duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA), Kurti ka falënderuar senatoren Ernst, veçanërisht për përkrahjen e Gardës Kombëtare të Iowas për ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri ka theksuar se mbështetja e tillë e ShBA-së është bërë edhe më e domosdoshme pas invazionit ilegal të Rusisë dhe aleancës ushtarake midis Serbisë dhe Rusisë.

“Në takim është biseduar për zgjerimin dhe thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe fushat zhvillimore”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërsa bëhet e ditur se Kryeministri Kurti ka njoftuar për fillimin e reformës në drejtësi dhe ngritjen e theksuar të buxhetit për mbrojtje, rritjen e mbështetjes për bujqësi, rritjen e pensioneve për 11% dhe pensioneve për persona me aftësi të kufizuara për 33%, arsimimin publik falas, përfshirë nivelin universitar.

Po ashtu, Kurti ka theksuar indikatorët pozitivë ekonomikë që po sjell stabiliteti institucional në vendin tonë, përfshirë rritjen dyshifrore ekonomike, rritjen e të hyrave doganore për 31%, rritjen e të hyrave tatimore për 34.3%.

“Në përmbyllje të takimit, senatorja Ernst ka shprehur vlerësimin e saj për kryeministrin Kurti dhe tha që dera e saj është gjithmonë e hapur për të”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një komunikatë ku ka dhënë detaje për takimin e kryeministrit Albin Kurti me këshilltarin për siguri kombëtare Jake Sullivan.

Në njoftim thuhet se Sullivan ka falënderuar kryeministrin Kurti për strehimin e Afganëve në Kosovë. Po ashtu, sipas komunikatës, pjesë e diskutimit ishte edhe agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë, ku Sullvian e ka vlerësuar ofrimin e ndihmës humanitare të Kosovës ndaj popullit ukrainas.

“Z. Sullivan falënderoi kryeministrin për gatishmërinë e Kosovës për të pritur të evakuuarit afganë. Ata shkëmbyen mendime mbi agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, duke përfshirë ofrimin e ndihmës humanitare nga Kosova për popullin e Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë”, thuhet në komunikatë.

Pjesë e diskutimit, sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, ishte edhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, me ç’rast Sullivan ka shprehur mbështetjen e SHBA-së për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për ta arritur një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në njoftim thuhet edhe se Sullivan i ka mirëpritur planet e Kosovës për të kaluar, nga varësia e saj nga thëngjilli i linjitit, në energji më të pastër dhe për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

Po ashtu, ai është takuar edhe me kongresistin Jim McGovern – kryetar i Komisionit për Rregulla në Dhomën e Përfaqësuesve. Teksa ka përmendur rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, ka kërkuar përshpejtim të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, i pari i qeverisë ka theksuar se Aleanca ushtarake Serbi-Rusi paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë këtij takimi, shefi i ekzekutivit ka njoftuar kongresistin McGovern për progresin përgjatë qeverisjes njëvjeçare, synimet, planet dhe prioritet e qeverisë në vijim të mandatit.

Gjatë vizitës në Washington është pritur në takim edhe nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të ShBA-ve Jake Sullivan, me të cilin ka diskutuar për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit, thuhet se gjatë takimit është diskutuar edhe për invazionin dhe agresionin në Ukrainë dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj në rajon.