Kurti me rastin e Fitër Bajramit falënderon BIK-un për rolin, kontributin dhe bashkëpunimin e tyre
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës. Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ministrja e Drejtësisë, […]
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës.
Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Në shënim të kësaj dite, kryeministri Kurti uroi të gjithë besimtarët dhe theksoi se muaji i Ramazanit është muaj i sakrificës edhe i solidaritetit, teksa nënvizoi se solidariteti dhe sakrifica janë mirësi që sjellin mbarësi.
Ai, gjithashtu, e falënderoi Bashkësinë Islame të Kosovës, në krye me myftiun Tërnava, për rolin, kontributin dhe bashkëpunimin.
Këtë pranverë, që këtë vit përkon edhe me festën e Fitër Bajramit, kryeministri veçoi se çdo ditë po përkujtojmë 25-vjetorë të masakrave të tmerrshme të kryera mbi popullin e Kosovës, si dhe betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë ditë feste të bekuar dhe të rëndësishme për të gjithë besimtarët, kryeministri Kurti përkujtoi edhe 37 imamët të cilët kanë rënë dëshmorë të kombit në luftën e fundit në Kosovë.
















