Gjatë qëndrimit të tij në Washington, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte mysafir i platformës “Front Page” të Këshillit të Atlantikut( Atlantic Council) për të diskutuar rreth prioriteteve të politikave vendore, politikës së jashtme dhe agjendës së tij, drejt përmbushjes së tyre.

Të enjten e 19 majit, Kurti ka dhënë një intervistë për Qendrën Evropiane të Këshillit të Atlantikut.

Në këtë intervistë, ai ka thënë që Millosheviqi nuk e ka pyetur asnjëherë Vuçiqin, prandaj nuk duhet të jetë e vështirë për Vuçiqin të distancohet nga Millosheviqi.

“E dimë shumë mirë që presidenti i Serbisë ishte ministër i informacionit në kohën e Millosheviqit. Por, mund ta marr me mend se Millosheviqi kurrë s’e ka pyetur Vuçiqin. Prandaj, s’duhet të jetë e vështirë për Vuçiqin që ta distancojë veten nga Millosheviqi, i cili kurrë nuk e pyeste”, ka deklaruar Kurti.

🔴#Kosovo PM @albinkurti says that #Serbia's President #aleksandarvucic @avucic as #Milosevic 's minister was never consulted by his former boss and it shouldn't be difficult to distance himself from from him #warcrimes #slobodanmilosevic #Bosnia pic.twitter.com/0F8QebPFaw

— DTT-NET English (@dtt_net_english) May 19, 2022

“Kosova është tregimi i suksesit demokratik të rajonit”

Po ashtu, në këtë intervistë, Kurti teksa ka folur për të arriturat e qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga vetë ai, ka kërkuar sërish mbështetje për ndihmë më të madhe ekonomike.

Ai ka kërkuar, po ashtu, mbështetje ndaj Kosovës për t’u bërë anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale, pa ndonjë vonesë të mëtejshme.

“Mos e vini në dyshim, zhbërja e përparimit tonë në Kosovë do të ishte fitorja e vetme më e madhe që mund të dëshironte presidenti despotik Putin. Kjo është arsyeja e fiksimit të paarsyeshëm të tij me vendin tonë”.

Ai, po ashtu, teksa i ka potencuar marrëdhëniet e veçanta me ShBA-të, ka shprehur falënderim ndaj tyre si mik vendimtar, aleat kritik dhe partner i domosodoshëm.

“ShBA-të janë partneri dhe miku më i ngushtë i Kosovës. Jo vetëm sepse historia jonë është e thurur në kohë çlirimi dhe nevoje, por sepse ne jemi të lidhur me vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë”, ka thënë Kurti.

“Rusia e interesuar të hapë fronte të tjera beteje”

Po ashtu, Kurti ka theksuar se referimi i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për Kosovën si precedent për të ndërhyrë në punët e një shteti tjetër më të vogël, “nuk është asgjë më shumë se gënjeshtër”.

I pari i ekzekutivit ka potencuar se ashtu siç nuk ka dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë, krahasimi me Kosovën është shumë i largët për të pasur ndonjë vlerë kritike.

Sipas kryeministrit Kurti, Rusia është e interesuar të hapë fronte të tjera beteje në mënyrë që të ndjekë strategjinë e saj “përshkallëzim për shpërshkallëzimin”, për të siguruar një pozicion më të mirë negociues për të arritur qëllimet e saj në Ukrainë.

“Duke pasur parasysh marrëdhëniet dhe lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, mbështetjen e saj për pushtimin e Ukrainës, dhe duke pasur parasysh faktin se Republika Srpska në Bosnje kontrollohet nga Moska po aq sa edhe nga Beogradi, rreziku i përhapjes së konfliktit në Ballkanin Perëndimor është fatkeqësisht i lartë”, është shprehur Kurti.

Ndryshe, kryeministri Kurti, që nga gjashtë maji po qëndron në ShBA për vizitë zyrtare.

Kurti: Kosova s’mund të merret si shembull justifikues për invazionin rus në Ukrainë