Kurti – ministrave: Koha për t’i përmbushur premtimet po pakohet
Kryeministri, Albin Kurti, ka lavdëruar ekipin e tij qeverisës në 2/3 e mandatit në krye të shtetit. Kurti e ka nisur mbledhjen e Qeverisë duke numëruar disa prej sukseseve të arritura, derisa ka theksuar se të enjten bëhen 32 muaj të qeverisjes së tij. Megjithatë, ai ka thënë se ende ka punë për t’u bërë. […]
Kryeministri, Albin Kurti, ka lavdëruar ekipin e tij qeverisës në 2/3 e mandatit në krye të shtetit.
Kurti e ka nisur mbledhjen e Qeverisë duke numëruar disa prej sukseseve të arritura, derisa ka theksuar se të enjten bëhen 32 muaj të qeverisjes së tij.
Megjithatë, ai ka thënë se ende ka punë për t’u bërë.
“…Datat si këto shërbejnë si moment kujtimi çfarë kemi bërë si ekip, por edhe për të kujtuar se koha për t’i përmbushur zotimet e respektuar pritjet e qytetarëve sa vjen e pakohet”.
“Çdo ditë na përkujtohet se çka s’është bërë e çka ka mbetur të bëhet”.
Kurti përmendi ato që i ka vlerësuar si punë të mira të kryera.
Ka nisur me përballjen me pandeminë, duke lavdëruar qeverisjen për vaksinimin. Ai ka përmendur si punë të kryer edhe “shpërndarjen e të hyrave tatimore te qytetarët përballë inflacionit dhe krizën energjetike, por jo vetëm”.
Ai ka thënë se Qeveria e tij ka mbështetur studentët, familjet në nevojë, pensionistët e zyrtarët publikë. Ka përmendur edhe punësimin e të rinjve e subvencionimin e rrogave. Kurti ka thënë se nënat lehona për herë të parë marrin mjete, ndërsa ka shtuar se mbi 387 mijë fëmijë marrin shtesa.
Më tej, Kurti është lavdëruar për rritjen e buxhetit për ushtrinë, përkrahjen për bujqit e organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Kurti ka folur edhe për veriun, duke thënë se sot ka më shumë siguri dhe qetësi në katër komunat në veri të Kosovës, duke theksuar se banorët serbë atje janë më të lirë të vendosin vetë.
Pasi, sipas Kurtit, grupet kriminale që i terrorizonin banorët e këtyre komunave, tani skutën e kanë diku në Serbi.
“E teksa po hapim rrugë të reja që rrisin lëvizjen dhe nxisnin shkëmbimet, kemi mbyllur shumë rrugë ilegale që shfrytëzoheshin për kontrabandë, trafikim e kalim të paligjshëm të kufirit. Gjithsej, 34 sosh, prej tyre 36 vetëm në veri të vendit. Atje nga policia e jonë u shkatërruan edhe 9 laboratorë të drogës nga 16 gjithsej gjithandej territorit dhe 16 laboratorë të prodhimit të kriptovalutave. Sot në katër komunat në veri ka më shumë siguri dhe qetësi për qytetarët tanë, po asfaltohen rrugët e po ndërtohen shtëpitë e reja, përfshirë edhe të banorëve shqiptarë të cilëve prona u ishte dëmtuar gjatë luftës, bashkëqytetarëve tanë serbë tani janë më të lirë të vendosin vetë, sepse grupet kriminale që dikur terrorizonin banorët e tyre komunave, tani skutën e kanë diku tjetër, po nëpër Serbi”, ka thënë Kurti.
Kështu, për shkak të kësaj sigurie dhe qetësie, Kurti ka theksuar se qytetarët serbë janë më të interesuar për dokumentet e Republikës së Kosovës.
Ai bëri të ditur se deri më tani, gjatë muajit nëntor, janë bërë mbi 2 mijë konvertime të targave nga ato ilegale në RKS.
“Andaj, edhe kohë të fundit po shohim një interesim të lartë për t’u pajisur me dokumente të RKS-së. Vetëm këtë muaj deri dje janë mbi 2 mijë konvertime të targave në RKS, në të të njëjtën kohë interesimi për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës është rritur”, ka shtuar Kurti.















