Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me homologët e tij nga Holanda dhe Luksemburgu, i ka falënderuar për mbështetjen që këto shtete ia kanë dhënë Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Përveç kësaj, sipas Kurtit, Holanda dhe Luksemburgu e kanë ndihmuar Kosovën edhe në sferën ekonomike dhe atë demokratike.

“Vendet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme, jemi mirënjohës për mbështetjen e Holandës dhe Luksemburgut për lirinë dhe pavarësinë tonë, për progresin ekonomik dhe demokratik. Mbështetja juaj na ka ndihmuar ta përmirësojmë mjedisin e biznesit, ta rrisim kapacitetin e Administratës Publike dhe ta forcojmë sistemin e drejtësisë dhe shoqërisë civile”, ka thënë Kurti.

Tutje, Kurti tha se e ka ftuar kryeministrin e Holandës për një konferencë Holandë – Kosovës, për teknologjinë e informacionit.

“154 biznese të Holandës në Kosovë dhe dhjetëra në Luksemburgu. Sektorin e teknologjisë së informacionit e kemi dinamik, eksporti i TIK-ut, në 2022 është rritur për 113%, krahasim me vitin paraprak…. Duke pasur rritjen e kompanive holandeze, ftova zyrtarisht kryeministrin e Holandës për një konferencë Holandë-Kosovë, për teknologjinë e informacionit. Kosova ka potencial edhe për investime në bujqësi..”, ka thënë Kurti.

Në lidhje me dialogun, Kurti tha se “ne dëshirojmë zgjidhje evropiane. Demokracitë solidarizohen me njëra-tjetrën përballë autokracive”.