Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur katër gazetarët afganë që kanë mbërritur mbrëmjen e së hënës në Kosovë, në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosova”, financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Zyra e Kryeministrit bën të ditur se Kurti ka thënë që populli i Kosovës bashkëndjen me kauzën e tyre dhe të​ popullit afgan për demokraci, respektim të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe prosperitet.

Në emër të grupit të gazetarëve afganë, Amina Omid është shprehur falenderuese për mikëpritjen që u është bërë.

Aktualiteti në Afganistan, pozita e gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut atje e veçanërish, ato të grave dhe vajzave nën regjimin Taliban janë disa nga qendrat e diskutimit që u folën në mes Kurtit dhe gazetarëve.

Në takim morën pjesë edhe Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj dhe Zyrtarja Ligjore e European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, Flutura Kusari, njofton ZKM.

Gazetarët afganë u mirëpritën në vendin tonë një muaj pas vendimit të Qeverisë që do t’u mundësojë atyre strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe biletë kthimi, kur rrethanat të krijohen që ata të kthehen në shtëpitë e tyre.

Programi “Journalists in Residence – Kosovo”, inicuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe mbështetet edhe nga Iniciativa Hannah Arendt.

Tanimë, përmes këtij programi, në Kosovë po qëndrojnë 12 gazetarë ukrainas dhe 4 afganë.