Kurti mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Ukraina, një krim lufte”, përmend edhe plagët e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në orët e mbrëmjes, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Ukraina, një krim lufte”, duke theksuar se hapja e saj është vetëm shenja më e fundit e solidaritetit të popullit të Kosovës me atë të Ukrainës, në këtë kohë të vështirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në orët e mbrëmjes, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Ukraina, një krim lufte”, duke theksuar se hapja e saj është vetëm shenja më e fundit e solidaritetit të popullit të Kosovës me atë të Ukrainës, në këtë kohë të vështirë.

Duke vënë në dukje solidaritetin që populli i Kosovës ka treguar ndaj popullit ukrainas, kryeministri Kurti tha se së pari është detyrë dhe përgjegjësi e çdo shteti demokratik, çdo shteti që respekton dhe çmon të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, që të solidarizohet me Ukrainën kundër pushtimit ilegal të Rusisë, si dhe ta ndihmojë atë me çdo mjet që e kemi në dispozicion.

Sipas komunikatës së zyrës së kryeministrit, ai tha se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është edhe sulm i autokracisë ndaj demokracisë.

“Së dyti, Kosova solidarizohet me Ukrainën, sepse krimet që po kryhen në Ukrainën e sotme, janë kryer edhe në Kosovën e viteve ‘90-ta. Dhe kjo është diçka që e veçon popullin e Kosovës prej shteteve të tjera demokratike. Kujtimet tona prej asaj dekade të tmerrshme janë ende të freskëta. Plagët janë ende të hapura”, tha Kurti, duke shtuar se gati çdo qytetar i Kosovës ose vetë është viktimë e dëbimit masiv të shqiptarëve në vitin 1999, ose ka të paktën një anëtar të familjes që ka qenë viktimë e dëbimit apo masakrave të kryera nga forcat serbe.

Duke kujtuar krimet e kryera dhe mungesën edhe të 1 mijë e 597 personave të zhdukur me forcë, familjet e të cilëve, 25 vjet më vonë, po presin që të marrin vesh fatin e të dashurve të tyre, kryeministri tha se Kosova si shtet demokratik, por edhe si një popull që ka një përvojë të ngjashme me atë të Ukrainës, ka një arsye të dyfishtë për t’u solidarizuar me popullin ukrainas.

Këtë solidaritet, siç tha i pari i qeverisë, gjatë dy viteve të fundit e kemi shprehur jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, duke përmendur se nga fillimi i luftës, qeveria ka miratuar 11 pako të sanksioneve nga BE, ndaj Rusisë, Bjellorusisë dhe përfaqësuesve të tyre.

Në fjalën e tij, Kurti tha se ekspozita e sotme, është me rëndësi të veçantë, sepse e vërteta tregohet, edhe përhapet, jo vetëm me fjalë, por edhe me artin, sidomos me artet pamore, siç janë piktura dhe fotografia.

Ai nuk la pa përmendur as fotografët e guximshëm që kanë qëndruar në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998–1999, të cilët dokumentuan se çfarë po përjetonin shqiptarët e Kosovës nga forcat ushtarake, policore e paramilitare të Serbisë.

“Janë qindra fotografi që tregojnë, ndoshta edhe më mirë sesa fjalët, të vërtetën e asaj kohe. Mes të tjerash, për shembull, është një fotografi e dy fëmijëve të vegjël duke qarë pas vrasjes së prindërve të tyre, një tjetër fotografi me qindra refugjatë duke u dëbuar nga vendi ynë dhe një tjetër e cila paraqet një radhë të gjatë të civilëve, sikur të pafundme, duke mbajtur në supe dhjetëra arkivole me viktimat e masakrës së Reçakut”, tha ai.

Duke potencuar se kjo ekspozitë, na drejton kah e ardhmja, na udhëzon që të mos ndalemi, derisa të gjithë kryesit e këtyre krimeve të tmerrshme të përgjigjen para drejtësisë, kryeministri tha se beteja për drejtësi është edhe një pikë tjetër e përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Ukrainës.

“Uroj që beteja për drejtësi për popullin e Ukrainës të mos vonohet për dekada me radhë, siç është vonuar në Kosovë. Kjo ekspozitë, e cila në vendin tonë hapet sot për herë të parë, është një kontribut i vyer në këtë drejtim”, tha ai.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika