Kurti: Mungesa e përgjigjeve për vendndodhjen e personave të zhdukur rëndon normalizimin e raporteve me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mungesa e përgjigjes për vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur ka rënduar jetën e familjeve e po ashtu edhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Ekonomia Online. Ai këto komente i bëri gjatë prezantimit të raportit vjetor 2023 të Komisionit Qeveritar për Persona […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mungesa e përgjigjes për vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur ka rënduar jetën e familjeve e po ashtu edhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Ekonomia Online.
Ai këto komente i bëri gjatë prezantimit të raportit vjetor 2023 të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, duke theksuar se çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike, por problem kombëtar, shtetëror e humanitar.
Kryeministri Kurti ka theksuar se varre të hapura e të zbrazta anekënd Kosovës janë dëshmi e madhe e gjenocidit të shkaktuar nga Serbisë.
“Mungesa e përgjigjes për fshatin dhe vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur, rëndon jetën e familjeve dhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe 24 vjet paslufte, jetojnë në ankthin e pritjes. Shumë varre të hapura e të zbrazta anekënd Kosovës që nuk i kemi më të dashurit tanë, janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë. Jo vetëm personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktimat e këtij krimi të vazhdueshëm. Krim ky i cili e tejkalon dimensionin e brengës së familjeve të tyre, duke qenë brengë e Kosovës, sepse çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike, por problem kombëtar, shtetëror e humanitar. Më shumë se 905 shqiptarë janë zhvarrosur nga varrezat masive të Batajnicës, Kizhevakut, Rudnicës dhe Petrovoselles”, tha ai.
Kurti ka thënë se Serbia duhet t’i pranojë krimet e saj në Kosovë, krimet e kryera si pjesë e projektit gjenocidiale për zhvarrosje të shqiptarëve.
“Më 22 prill të këtij viti, në Batajnicë u shënua Dita e Forcave të Armatosura, ku u organizuan stërvitje ushtarake. Nën poligonin e qitjes së policisë në Batajnicë në një varr masiv janë gjetur trupat e pajetë të 744 shqiptarëve të Kosovës. Trupat që u varrosën në Kosovë, më pas u zhvarrosën dhe u transferuan në Serbi për rivarrim në përpjekje për t’i fshehur dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës. Midis atyre trupave ishin 46 anëtarë të familjes Berisha, 14 prej tyre nën moshën 15-vjeçare. Mes tyre dy foshnje dhe një grua shtatzënë. Aty nuk është e vendosur ndonjë pllakë përkujtimore, thuajse asgjë nuk ka ndodhur aty. Serbia duhet të pranojë krimet e saj në Kosovë, krimet e kryera si pjesë e projektit gjenocidiale për zhvarrosje të shqiptarëve e të quajtur ‘Patkoi’”, u shpreh Kurti.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se në Kosovë kanë gërmuar në 15 lokacione të ndryshme, të cilat kanë rezultuar me zhvarrosjen e 20 trupave dhe disa pjesë tjera kockore.
“Duke qenë që ky proces është i përbashkët i joni me një shtrirje të gjerë dhe interes kombëtar dhe humanitar. Personalisht vlerësoj që asnjë angazhim nuk është i mjaftueshëm, përderisa ne ende vazhdojmë të kërkojmë për më të dashurit tanë tash e 24 vite. Në rrafshin vendor kemi gërmuar në 15 lokacione të ndryshme në territorin e Kosovës. Kanë rezultuar me zhvarrosjen e 20 trupave dhe disa pjesë tjera kockore”, tha Hoti.















