Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se numri i dënimeve për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë mbetet i ulët dhe joproporcional me përmasat e këtyre krimeve.
Në fjalimin e tij në seancën solemne për Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës, Kurti theksoi se stigma dhe heshtja vazhdojnë të jenë pengesa kryesore për shumë viktima që të kërkojnë drejtësi dhe përkrahje institucionale.
“Kjo ditë është edhe thirrje për mbarë shoqërinë, që të mbështesë edhe gratë e burrat e tjerë të mbijetuar që vazhdojnë të përballen me paragjykime, në kërkim të të drejtave që atyre u takojnë. Heshtja dhe stigma që ende rëndojnë mbi viktimat e këtij krimi lufte vazhdojnë të pengojnë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje”, ka thënë Kurti.
Kryeministri theksoi se dhuna seksuale është përdorur në mënyrë sistematike nga Serbia si mjet lufte gjatë viteve 1998-1999, duke kujtuar se vetëm në vitin 2021 u shënua dënimi i parë për këtë krim në rastin e Zoran Vukotiq.
Në të njëjtën kohë, ai akuzoi Serbinë se vazhdon të strehojë dhe mbrojë autorët e krimeve të luftës, duke mos u përballur me të kaluarën. Sipas tij, përderisa Kosova nderon viktimat, në Serbi vazhdojnë përpjekjet për mohimin dhe shtrembërimin e së vërtetës historike.
“Të nderuara zonja dhe zotërinj, dhuna seksuale është përdorur sistematikisht nga Serbia si mjet lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Pas 23 vitesh pandëshkueshmëri, në korrik të vitit 2021 u shënua një hap drejt drejtësisë me dënimin e parë të kriminelit të luftës, Zoran Vukotiq, për dhunën seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri. Viteve të fundit po rritet numri i gjykimeve dhe i dënimeve për këto krime lufte që nuk parashkruhen as nuk falen. Ndryshimet që i kemi bërë bashkë në Kodin Penal të Kosovës mundësojnë gjykimin në mungesë për krimet e luftës.
Megjithatë, numri i dënimeve mbetet ende i ulët dhe joproporcional me përmasat e mëdha dhe thellësinë e krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës. Këto krime nuk prekin vetëm të mbijetuarat dhe familjet e tyre, por lënë pasoja të thella që transmetohen si traumë e vazhdueshme ndërbrezore.
Ndërkohë që Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve dhe mohimin e krimit. Sot Kuvendi ynë i Republikës së Kosovës nderon viktimat e dhunës seksuale të përdorur si armë lufte, e Kuvendi i Serbisë pak ditë më parë u shndërrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës dhe glorifikim të njësive përgjegjëse për krimet e luftës në Kosovë.
Kurti: Sot Kuvendi ynë nderon viktimat e dhunës seksuale, e Kuvendi i Serbisë pak ditë më parë u shndërrua në hapësirë për glorifikim të njësive përgjegjëse për krimet e luftës
Atje u organizua ekspozitë për njësitë e ushtrisë jugosllave dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme serbe, komandantët më të lartë të të cilave janë dënuar për krime kundër njerëzimit në Kosovë gjatë vitit 1999, duke mos u distancuar nga e kaluara e saj kriminale. Përkundër mungesës së refleksionit nga Serbia, përvoja e Republikës së Kosovës në adresimin e dhunës seksuale gjatë luftës po shërben si shembull i rëndësishëm për vendet e tjera të prekura nga konflikti”, tha Kurti.