Kurti në 1 Maj: Rritëm pagat, mbështetëm punëtorët dhe do të vazhdojmë me politika sociale

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një mesazh me rastin e Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, duke vlerësuar rolin e punëtorëve në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit, si dhe duke theksuar politikat e qeverisë së tij në mbështetje të tyre.

Në deklaratën e tij, Kurti rikujtoi origjinën historike të 1 Majit, që lidhet me protestat e vitit 1886 në Chicago për orarin tetëorësh të punës, duke theksuar se të drejtat e sotme të punëtorëve janë rezultat i sakrificave të mëdha.

Ai nënvizoi se të drejtat e punëtorëve po përballen me sfida të reja globale, si rritja e punësimit afatshkurtër, zhvillimi i platformave digjitale dhe ndikimi i automatizimit, duke shtuar se këto zhvillime reflektohen edhe në Kosovë.

“Sot është dita e punëtorëve. E atyre që kanë ndërtuar gjithçka rreth nesh dhe që vazhdojnë të na zhvillojnë çdo ditë.

1 Maji lindi në vitin 1886 në Çikago, kur punëtorët marshuan për diçka që sot duket e vetëkuptueshme, por që atëherë kushtoi me jetë: tetë orë punë, tetë orë pushim, tetë orë jetë për veten. Ata u përballën me dhunë. Disa prej tyre vdiqën për të drejta që sot i konsiderojmë bazike. Çdo fundjavë, çdo rregull sigurie, çdo mbrojtje në punë që ekziston në botën demokratike është fituar sepse dikush nuk pranoi më pak nga sa kërkonte e meritonte. 1 Maji është rikujtimi vjetor i kësaj historie. Është përkujtimi se të drejtat nuk dhurohen nga lart, ato ndërtohen nga poshtë dhe mbrohen vazhdimisht.
Qytetarët e Kosovës kanë një kuptim të rëndësishëm të vlerës së punës edhe përtej ekonomisë. Edhe kur u shkëputën nga paga, apo kur u përjashtuan nga hapësirat formale, puna vazhdoi në shtëpi, lagje dhe komunitete. Në ato rrethana okupimi, ajo u bë formë qëndrese dhe aktivizmi. Sot, punëtori është shtylla e parë e shtetndërtimit tonë.
1 Maji nuk është thjesht një datë feste që shënohet e që ka histori, 1 Maji është edhe matje e gjendjes sonë të tanishme.
Sipas raporteve ndërkombëtare të sindikatave, të drejtat e punëtorëve janë goditur
ndjeshëm në mbarë botën gjatë vitit 2025. Në shumë vende, përfshirë edhe ato të zhvilluara, të drejtat e punëtorëve janë në rrezik. Punësimi afatshkurtër është në rritje, përfshirë këtu atë përmes platformave digjitale, që e reduktojnë punën në detyra të përditshme me paga të pasigurta dhe me masa disiplinore që vendosen pa transparencë dhe pa mbrojtje reale për punëtorët. Ndërkohë, automatizimi po zhduk kategori të tëra pune, pa ofruar gjithmonë mundësi rikualifikimi apo mbështetje për ata që preken. E, në të njëjtën kohë, pabarazia është rritur.
Ky është realiteti global ku nuk mund të bëjë përjashtim as Kosova. Në këtë kontekst jetojnë dhe punojnë punëtorët tanë, dhe në këtë dritë duhen kuptuar edhe vendimet tona në qeveri.
Kur ne morën detyrën, paga minimale në Kosovë ishte 170 euro. Nuk kishte ndryshuar për trembëdhjetë vite. Për një brez të tërë që hynte në tregun e punës, ky ishte minimumi ligjor për punën e tyre. Ne e ndryshuam këtë. Miratuam Ligjin për Pagën Minimale dhe e ngritëm atë në 425 euro, duke ndikuar drejtpërdrejt rreth 150.000 punëtorë, shumica në sektorin privat. Nga 1 korriku ajo rritet në 500 euro (pavarësisht asaj që ndodhi me Kuvendin).
Vendosëm pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik. Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shteti njohu në mënyrë konkrete kontributin e vazhdueshëm të punonjësve të tij. I bëmë e vazhdojmë t’i bëjmë thirrje edhe sektorit privat të ndjekë këtë shembull, sepse kompensimi i drejtë dhe përkujdesja e shtuar për punëtorët nuk duhet të jetë privilegj vetëm i sektorit publik.
Filluam dhe zgjeruam programin Superpuna, që subvencionon pagat në sektorin privat për gjashtë muaj dhe krijon një rrugë të strukturuar për të rinjtë drejt tregut formal të punës. Punësuam mbi 23 mijë të rinj dhe të reja të moshave nga 18 deri në 29 vjeç me ç’rast kanë përfituar rreth 10.500 biznese.
Për të drejtat e punëtorëve në Republikën e Kosovës, mungesa kryesore është ajo e organizimit sindikal në sektorin privat. Këtu duhet të angazhohet e gjithë shoqëria jonë për një nivel të ri të statusit dhe gjendjes së punëtorëve te ne.
Për herë të parë me ne në qeverisje filluan të ndahen shtesat për fëmijë dhe shtesat për nënat lehona. Pensionet i rritëm nga nga 90 euro në 150 euro. Përmes programit “Qeveria për Familjet”, subvencionum 70% të pagave për gjashtë muaj për familjet pa asnjë të punësuar, duke përfshirë kësisoj rreth 4,000 familje. Gjithashtu, kemi mbështetur punësimin e mbi 12.000 grave përmes politikave dhe subvencioneve direkte shtetërore. Në vijim kemi programin “Superpuna për Gra” që do të ndihmojë edhe më shumë për rritjen e punësimit të grave. Vetëm gjatë tre vjet e gjysmë të qeverisjes sonë, numri i të punësuarve është rritur ndjeshëm. E kemi gjetur Kosovën me rreth 350,000 të punësuar, ndërsa sot janë rreth 435,000 një rritje prej rreth 85,000 vende pune.
Miratuam projektligjin për sigurimet shëndetësore. Për herë të parë në Kosovë, ky ligj krijon një kornizë universale që mbulon si të punësuarit ashtu edhe të papunët, përmes kontributeve individuale dhe shtetërore. E drejta për shëndetësi nuk mund të varet nga statusi i punësimit.
Propozuam një paketë prej 200 milionë eurosh për përballjen me inflacionit, që ofronte mbështetje të synuar për sektorin privat, studentët, fëmijët dhe familjet që ballafaqohen me rritjen e kostos së jetesës. Kjo paketë u bllokua në Kuvend nga një opozitë që zgjodhi të mos votojë. E njëjta opozitë që bojkotoi zgjedhjen e presidentit duke e dërguar vendin në zgjedhje. Votat janë të regjistruara. Qytetarët do të nxjerrin përfundimet e tyre.
Social-demokracia nuk është thjesht diçka që shpallet. Ajo është një angazhim i vazhdueshëm politik për të vendosur sigurinë, begatinë, dhe të ardhmen e punëtorëve si qytetarë dhe të qytetarëve si punëtorë në qendër të çdo buxhetimi, çdo legjislacioni dhe çdo mase institucionale. Kjo është ajo që kemi bërë dhe kjo është ajo që përherë do të bëjmë.
Për punëtorët e Kosovës në këtë 1 Maj: kjo qeveri ka qenë në anën tuaj jo vetëm me fjalë, por me ligje të miratuara, buxhet të zbatuar dhe vendime konkrete.
Standardi duhet të vazhdojë të rritet. Puna për ndërtimin e një shteti që i trajton punëtorët si themelin e gjithçkaje, vijon.
Gëzuar 1 Majin!”, ka shkruar Kurti.

Të fundit nga rubrika