Kurti në Bosnje: Srebrenica ishte paralajmërim për Kosovën dhe botën
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, e mbajtur në Qendrën Memoriale në Potoçari të Bosnjës dhe Hercegovinës. Delegacioni qeveritar i Kosovës bëri homazhe pranë […]
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, e mbajtur në Qendrën Memoriale në Potoçari të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Delegacioni qeveritar i Kosovës bëri homazhe pranë varrezave ku prehen 8,372 viktima të masakrës së kryer nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995.
Me vendosjen e luleve dhe pjesëmarrjen në ceremoninë zyrtare, Kosova riafirmoi qëndrimin e saj institucional për të nderuar viktimat e këtij krimi të njohur si gjenocidi më i rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë qëndrimit në Potoçari, Kurti dhe anëtarët e kabinetit vizituan gjithashtu ekspozitën “Me hapat e atyre që (nuk) kaluan”, një instalacion i kuruar nga Aziz Osmanoviç, që përmes objekteve personale të viktimave dhe të mbijetuarve, pasqyron përmasat njerëzore dhe tragjike të kësaj ngjarjeje.
Kurti e ka cilësuar Srebrenicën si shembull të politikës së spastrimit etnik të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke theksuar se ajo duhet të shihet edhe si paralajmërim për krimet dhe gjenocidin që Serbia ka kryer më pas në Kosovë.
Ai theksoi përkushtimin e Kosovës për drejtësi, kujtesë historike dhe solidaritet të vazhdueshëm me familjet e viktimave.
”Ndërkaq, para një viti si qeveri morëm vendim për ta shpallur 11 korrikun Ditë Memoriale në shenjë të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë. Paqja dhe pajtimi në Ballkanin perëndimor, pa drejtësi që ndëshkon kriminelët dhe rehabiliton viktimat, ngelen veçse armëpushim e mashtrim”, ka shkruar Kurti në Facebook.















