Kurti: Në dialog do të diskutojmë për njohje reciproke dhe për zhvillimet aktuale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se në takimin me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, do të diskutojnë për dy tema, njëra nga to është diskutimi për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve me njohje reciproke. Kurse tema tjetër që pritet të diskutohet në dialog, sipas kryeministrit […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se në takimin me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, do të diskutojnë për dy tema, njëra nga to është diskutimi për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve me njohje reciproke.
Kurse tema tjetër që pritet të diskutohet në dialog, sipas kryeministrit të Kosovës janë zhvillimet aktuale tensionuese të kohës së fundit.
Këto deklarata Kurti i dha pas takimit me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Bruksel, një ditë para takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.
“Dy tema të rëndësishme, e para elementet e kornizës së përgjithshme për marrëveshje që duhet të jetë marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke dhe tjetra është çështjet aktuale ku natyrisht pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale me vështirësitë që janë shfaqur kohëve të fundit”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Duke folur për zhvillimet e fundit në Veri të kosovës, Kurti ka thënë shteti i Kosovës është për lëvizje të lirë, të kundërtën sipas tij po e bën Serbia
“Ne jemi për lëvizje të lirë, lëvizjen e lirë e kanë penguar barrikadat, 13 janë ngritur në veri të Kosovës, nëpër shumë rrugë. Ndërkaq policia e Kosovës me profesionalizëm dhe me guxim është ballafaquar me një situatë të vështirë, për të pasur liri të lëvizjes duhet të kemi vetëm rrugë legale, prandaj rrugët ilegale duhet të mbyllen”, ka thënë Kurti.
Kurti bëri të ditur, se lëvizjen e lirë dhe pikëkalimet ilegale në Veri të Kosovës, e ka diskutuar edhe me Sekretarin e përgjithshëm të NATOS, Jens Stoltenberg.
Kurti ka bërë të ditur se nuk do të heq dorë nga e drejta për reciprocitet dhe se me një shtator do të vazhdojë lëshimi i dokumenteve identifikuese si formë e reciprocitetit.















