Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti ish-drejtorin e USAID-it në Kosovë dhe anëtarin e bordit të Fondit Kosovar Amerikan për Arsim (KAEF – Kosovo American Education Fund), Dale Pfeiffer.

Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit thuhet se gjatë takimit u diskutua rreth arsimit në Kosovë, përfshirë sfidat si dhe hapat e nevojshëm për të përmirësuar cilësinë në të gjitha nivelet.

“Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e investimeve në arsim si një prioritet i qeverisë. Ai veçoi rritjen e buxhetit të përgjithshëm për arsimin, dhe shtimin e bursave për studentë, veçanërisht për studente vajza dhe gra në fushat STEM”, thuhet në njoftim.

Me rritjen e numrit të studenteve në këto drejtime zvogëlohen pabarazitë sociale dhe mbështetet pavarësimi ekonomik i grave dhe i vajzave, shtoi Kurti.

“Javën e kaluar u ndanë 1882 bursa për studente në fushat STEM, duke e ngritur numrin në gjithsej 4630 bursa për gra dhe vajza në këto fusha për tri vite akademike radhazi”.