Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, sot më në fund ka vendosur të flasë pak për gazetarë për formim të institucioneve.Në Istog ku shkoi për vendosjen e gurthemelit të projektit të Banimit të Përballueshëm dhe Social, Kurti mezi i tha dy fjalë për këtë çështje.

“Njëherë Kuvendi, mandej Qeveria”, tha Kurti.

Ai ka injoruar pyetjet e gazetarëve për ngërçin në Kuvend para dhe pas çdo seance të Kuvendit të Kosovës ku s’po arrin ta bëjë Albulena Haxhiun kryeparlamentare.

Kurti për punimet në Istog tha se ky është një projekt tejet i rëndësishëm dhe se se do të ketë 4 tipe të banesave, teksa kriteret që duhet plotësuar nga të interesuarit është të mos e kenë problem banimin kolektiv.

“Qysh në fillim të mandatit tonë e patëm miratuar agjendën qeveritare për banim të përballueshëm dhe social, bazuar në tri parime themelore. Banimi është e drejtë themelore e njeriut. Për jetesë, nevojitet banesë! Me këtë rast, në janar të vitit 2024, Ministria ka hapur thirrjen për komunat, për ndërtimin e njësive banesore për banim të përballueshëm dhe social” u shpreh Kurti.

“Këtu në Istog, vlera e punimeve është përafërsisht 4 milionë e 90 mijë, punimet do të kryhen për 3 vjet”, tha Kurti.