Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do të ketë hetime e ndjekje të kriminelëve që po shkaktojnë tensione në Veri të Mitrovicës e që Kurti thotë se të njëjtit po paguhen nga Serbia e po dirigjohen nga presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se bandat kriminale në Veri të Kosovës kanë intesifikuar sulmet në Veri të Mitrovicës, e sipas tij, të njëjtat e dinë se po ju vie fundi.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë”, ka deklaruar Kurti.

Krahas kësaj, Kurti ka thënë se në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë.

Ndërkaq, ai ka kërkuar nga qytetarët e Republikës së Kosovësqë të njëjtit të mbështetin Policinë e Kosovës.

“Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë”, ka deklaruar Kurti.

Mjeti shpërthyes nuk është larguar akoma nga Zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor në Veri të Mitrovicës.

Lajmin e ka bërë të ditur gazetari i RTV Dukagjinit, Sylejman Sylejmani i cili po raporton drejtpërsëdrejti nga vendi i ngjarjes.

Krahas kësaj, bëhet e ditur se askush prej njësiteve nuk ka hyrë brenda objektit dhe të njëjtit kanë qëndruar vetëm jashtë.

Shpërthime në veri kanë ndodhur përgjatë të martës së 6 dhjetorit, tek zyret e lartëcekura, Tre Rrokaqiejt dhe njëherit, edhe tek Kodra e Minatorëve.

Situata në Veri: Mjeti shpërthyes nuk largohet akoma, policia dhe EULEX qëndrojnë jashtë objektit të KQZ-së