Kurti në pritjen lamtumirëse të shefit të EULEX-it: Sundimi i ligjit në Kosovë s’ka qenë kurrë më i fortë

"Komplimenti më i lartë që mund t’i bëj ambasadorit Wigemark, teksa mbylli tri vjet e gjysmë shërbim të shquar, është se nën udhëheqjen e tij, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit është bërë, në pjesën më të madhe, më shumë e panevojshme se kurrë më parë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen lamtumirëse për nder të shefit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigermark, në përfundim të mandatit të tij.

Në njoftimin për media nga zyra e kryeministrit thuhet se mënyra më e përshtatshme që një qeveri mund të shprehë falënderimet e saj ndaj një organizate të huaj ndihmëse është t’ia dëshmojë asaj se nuk është më e nevojshme.

“Dhe gjithashtu, komplimenti më i lartë që mund t’i bëj ambasadorit Wigemark, teksa mbylli tri vjet e gjysmë shërbim të shquar, është se nën udhëheqjen e tij, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit është bërë, në pjesën më të madhe, më shumë e panevojshme se kurrë më parë”.

Duke shprehur mirënjohje të thellë për punën e tij në krye të kësaj organizate, kryeministri tha se qëllimi përfundimtar i institucioneve të huaja të ndihmës nuk është të qëndrojnë përgjithmonë në vendet që ata ndihmojnë.

Përkundrazi, sipas tij, është për t’i përgatitur ato vende që të qëndrojnë në këmbët e tyre.

Sipas kryeministrit Kurti, sundimi i ligjit në Kosovë “nuk ka qenë kurrë më i fortë dhe se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në këtë fushë, veçanërisht në dy vitet e fundit”.

“Kurti e veçoi rëndësinë e EULEX-it dhe praninë e tij në javët e fundit në Mitrovicën e veriut, ku sundimi i ligjit ende nuk është vendosur plotësisht. Ai falënderoi gratë dhe djemtë e guximshëm të EULEX-it për shërbimin e tyre, së bashku me Policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it, për të ndihmuar në ruajtjen e rendit dhe ligjit kundër milicisë së dhunshme dhe grupeve kriminale të nxitura dhe sponsorizuara nga Beogradi”, thuhet në  njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Kryeministri përmbylli fjalën e tij duke ngritur një dolli për ambasadorin Wigemark, për gjithçka që ai ka bërë për popullin e Kosovës.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika