Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 147-vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke e konsideruar këtë ngjarje si pikën kulmore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Kurti ka theksuar se Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk ishte thjesht një organizatë historike, por një projekt i fuqishëm kombëtar që përbashkoi shqiptarët përtej dallimeve fetare, krahinore dhe fisnore.

“Ne nuk e kemi ndryshuar kurrë thirrjen e kësaj ngjarjeje të përvitshme: Lidhja është gjallë… Ajo përfaqëson kulmin e lëvizjes kombëtare shqiptare, dhe është nyja ku përbashkohen të gjitha çështjet kyçe të historisë moderne të shqiptarëve”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, themelimi i Lidhjes më 1878 në Prizren, në Xhaminë e Bajrakut, shënoi një kthesë të rëndësishme për identitetin dhe orientimin politik të shqiptarëve.