Kurti në SHBA, javën tjetër – për takime të dorës së dytë

Kryeministri i Kosovës do ta zhvillojë vizitën e parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në javën e dytë të majit - më datë 10, por takimet që do t'i ketë nuk do të jenë asnjë të nivelit të lartë

Fotografi ilustruese: Kryeministri Albin Kurti duke shkuar në zyrë gjatë madantit të parë, (e diel, 23 shkurt 2020)

Kanë kaluar 408 ditë qëkur Albin Kurti u zgjodh kryeministër i Kosovës, për herë të dytë. Për pothuaj një vit e gjysmë, takimin më të rëndësishëm zyrtar me përfaqësues politikë amerikanë e ka pasur në Prishtinë, me ndihmëssekretaren e Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Karen Donfried.

Në disa raste e ka takuar edhe zëvendësndihmëssekretarin për Evropë dhe Euroazi, njëherësh i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ndërsa, vizitën e vetme në ShBA(ndonëse jozyrtare), pas premtimeve të përsëritura disa herë përgjatë vitit 2021 se do ta bënte në nëntor, ia doli që ta realizojë tek në prill të këtij viti. Kryeministri Kurti ishte atje për funeralin e ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeline Albright.

Para se të nisej për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai pati deklaruar se gjatë muajit maj do të ketë vizitë zyrtare atje.

“Siç e kam thënë edhe më herët, në muajin maj do të udhëtoj për ShBA për takime zyrtare atje”, pati deklaruar Kurti në 12 prill, në një konferencë për media.

Nga burime të mirinformuara, Portali D ka arritur të marrë vesh se kryeminsitri Kurti do të shkojë për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më datë 10 maj.

Më tutje, po në atë konferencë, kryeministri pati deklararuar se takimet do t’i ketë “me politikanë dhe diplomatë dhe udhëheqës, por, gjithashtu, edhe me mërgatën tonë, studentë e profesionistë, e komunitetin e biznesit”.

Kryeministri vërtet do të zhvillojë një varg takimesh atje. Mirëpo, të njëjtat burime kanë konfirmuar për Portali D se, megjithatë, takimet e Kurti nuk do të jenë të nivelit të lartë.

Gjatë vizitës në ShBA pritet që ai të takojë senatorë e kongresistë amerikanë dhe zyrtarë të tjerë, por sërish nuk do të ketë pritje për të nga nivelet më të larta të shtetit amerikan. Përveç tyre, Kurti do t’i takojë edhe përfaqësuesit e mërgatës shqiptare.

Të njëjtat burime i kanë thënë Portali D se vizita zyrtare në ShBA, kryeministrit Kurti i është konfirmuar pas dakordimit paraprak që të mërkurën e parë të majit, ai dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ta takojnë kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Përveç diskutimit lidhur me rrethanat e krijuara pas agresionit rus në Ukrainë, një ndër temat bosht të takimeve të kancelarit Scholz me liderët e Kosovës dhe të Serbisë, është thënë të ketë qenë dialogu midis dy vendeve.

Pas takimit me kancelarin Scholz, me kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Vuçiq, është takuar edhe shefi i diplomacisë evropiane, i dërguar për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Nevojën e madhe të vazhdimit të dialogut e ka vënë në pah edhe ndihmëssekretarja Donfried, pas takimit me Kurtin, duke nënvizuar se dialogu është prioritet dhe status quo është e paqëndrueshme. Si e tillë, “jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini”, ka nënvizuar Donfried. Në atë konferencë, kryeministri Kurti nuk pati thënë nëse dialogu është apo mund të bëhet prioritet edhe i Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri, po ashtu, nuk ka sqaruar nëse vizita e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë në funksion të kësaj teme. Por, përtej të gjithave, vizita e 10 majit është e para vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Albin Kurtin kryeministër.

Lidhur me vizitën e 10 majit të kryeministrit Kurti në SHBA, Portali D ka dërguar pyetje në Ambasadën Amerikane dhe në Qeveri të Kosovës.

Ndonëse Ambasada Amerikane nuk e mohoi e as pohoi, një gjë e tillë është konfirmuar nga zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, por jo duke kthyer përgjigje por, duke bërë një postim në rrjetin social Facebook.

Shija e redaktorit

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Blinken uron Shqipërinë: Lidhjet tona do të vazhdojnë të lulëzojnë

Në një mesazh për 28 Nëntorin, sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony  Blinken, shprehu urimet e tij për popullin shqiptar, duke theksuar marrëdhëniet e...

Osmani: 28 Nëntori, kujtim i sakrificave dhe simbiozë e tri...

Në një urim për 28 Nëntorin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë historike të kësaj dite, duke e cilësuar atë si një...

Të fundit nga rubrika