Kurti në takim me Allen shpreh shqetësimin për kërcënimet nga Serbia dhe lënien në liri të Radoiçiqit

Kryeministri ngriti brengën e tij mbi kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës, edhe për faktin që autori dhe lideri i grupit të terroristëve dhe paramilitarëve që ekzekutuan sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot nënsekretaren e Departamentit të Shtetit amerikan për Çështje dhe Diplomaci Publike, Elizabeth Allen.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleatja, mikja dhe partnerja jonë historike, aktuale dhe e së ardhmes, andaj presim që të fuqizojmë dhe thellojmë bashkëpunimin bilateral, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe tregtisë”, theksoi kryeministri në fillim të takimit, teksa shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për ndihmën, rolin dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara për çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës.

Në takim, kryeministri ngriti brengën e tij mbi kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës, edhe për faktin që autori dhe lideri i grupit të terroristëve dhe paramilitarëve që ekzekutuan sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

U diskutua edhe për raportet Kosovë-Serbi dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Për këtë çështje, Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj”.

Sa i përket rrugëtimit të Kosovës në integrimet evropiane, ai shprehu keqardhjen e tij që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk pati gatishmëri që ta përfshijë Kosovën në agjendën e votimit të 17 majit, duke marrë parasysh se sipas tij Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit në këtë organizatë.

Kurti e njohu nënsekretaren Allen me zhvillimet e fundit në vend, me progresin e shënuar në vitet e fundit në sundimin e ligjit dhe indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, me politikat sociale që mbështesin gratë dhe fëmijët, reformën në arsim me qëllim ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, dhe me politikat dhe investimet në sektorin e energjisë.

Për këtë të fundit, ai falënderoi nënsekretaren Allen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara përmes USAID-së në përgatitjen dhe përmbylljen e suksesshme të ankandit të parë të energjisë solare dhe programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) i cili hyri në fuqi në fund të muajit të kaluar.

Sot gjatë ditës, Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan një marrëveshje të mirëkuptimit kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika