Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim drejtorin e HANDIKOS-it, Afrim Maliqi dhe përfaqësuesit e kësaj organizate.

Në Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, kryeministri Kurti i është përgjigjur thirrjes së HANDIKOS-it, për përdorim të karrocës, në shenjë solidarizimi me personat me aftësi të kufizuara.

“Synimi i Qeverisë është të ofrojë mundësi dhe qasje të barabartë për të gjithë, mundësi për pjesëmarrje aktive në shoqëri, lëvizje të lirë dhe jetë të dinjitetshme. Në takim u bisedua për procesin e Amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të iniciuar nga Zyra e Kryeministrit, për përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Kushtetutë, konkretisht Neni 22”, thuhet në njoftim.

Duke folur për ndryshimet e nevojshme ligjore, u përmend miratimi i Udhëzimit Administrativ për caktimin e Listës, llojeve dhe pajisjeve ndihmesë, që ofrohen falas për  personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe procesi i hartimit të Projektligjit për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar.

Po ashtu, është vlerësuar edhe “zbatimi i Masës 1.6 Mbështetja e punësimit të personave me nevoja të veçanta, nëpërmjet së cilës gjatë vitit 2022 janë punësuar 239 persona, prej tyre 119 burra dhe 120 gra”.

“U theksua se me qëllim të gjithëpërfshirjes dhe barazisë në edukim, gjatë vitit 2022 janë punësuar afërsisht 100 asistente në shkolla për fëmijë me nevoja të veçanta, ndërsa Qeveria ka ndarë buxhet për 500 asistentë për vitin 2023. Po ashtu, janë ndarë bursa për 13 studente me aftësi të kufizuara”.

Në takimin e përbashkët, ku morën pjesë edhe Flamur Bekteshi, anëtar bordi në HANDIKOS, Emira Kuçani dhe Sadete Dubova, anëtare të HANDIKOS-it, si dhe Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe organizatave për persona me aftësi të kufizuar.

Kryeministri Kurti rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në përmbushjen e të gjitha obligimeve për mbrojtjen dhe jetësimin e të drejtave të njeriut, e në veçanti të personave me aftësi të kufizuara.