Kurti në takim virtual me zëvendëssekretarin e tregtisë në ShBA
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën e 21 qershorit, ka zhvilluar një takim virtual me zëvendëssekretarin e tregtisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA), Don Graves, me të cilin ka biseduar për arritjet ekonomike, potencialet investuese dhe interesat ekonomike të Kosovës. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim Kurti ka theksuar klimën […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën e 21 qershorit, ka zhvilluar një takim virtual me zëvendëssekretarin e tregtisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA), Don Graves, me të cilin ka biseduar për arritjet ekonomike, potencialet investuese dhe interesat ekonomike të Kosovës.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim Kurti ka theksuar klimën tërheqëse për investime, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit, që ka potencial të madh dhe të dëshmuar, me mbi 650 kompani të këtij sektori, 70% e të cilave eksportojnë shërbime kryesisht në ShBA dhe BE.
Shefi i ekzekutivit, ka folur edhe për takimet që ka pasur gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku veçoi nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për investim prej $236.7 milionë në sektorin e energjisë gjatë viteve të ardhshme.
Për të lehtësuar zhvillimin ekonomik, Kurti ka thënë se është duke u punuar në fuqizim të rendit ligjor, me themelimin e Gjykatës Komerciale, si dhe përmirësimin e mëtejmë të infrastrukturës dhe të bërit biznes në vendin tonë.
Zv. Sekretari ka folur për mundësitë për investime të kompanive amerikane në Kosovë.
Po ashtu, është diskutuar edhe për angazhimin e Qeverisë së Kosovës, për të identifikuar bizneset që do të mund të bashkëpunojnë me kompanitë amerikane.
Ai ka falënderuar Kosovën për qëndrimin e drejtë, sa i përket agresionit rus në Ukrainë.
Në këtë takim është biseduar për misionin tregtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që planifikohet të vijë në vjeshtë në Kosovë, me fokus në teknologji të informacionit.
Po ashtu, është folur për programin “Partnership for Global Infrastructure” që përfshin Kosovën, për mundësinë e ndihmës me plehra bujqësore si dhe mundësitë për investimet në infrastrukturë dhe energji të ripërtëritshme.
Kryeministri Kurti dhe zv.sekretari Graves u zotuan të vazhdojnë bashkëpunimin dhe të punojnë me ekipet respektive të të dyja qeverive.















