Kurti në takimin me Plenkoviqin: Aktgjykimi i Hagës është i padrejtë dhe i rëndë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Siç ka bërë të ditur vetë Kurti, në takim me Plenkoviq theksoi se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është i pasaktë, i padrejtë dhe i rëndë, njofton Dukagjini.

Duke folur për historinë e përbashkët të Kosovës dhe Kroacisë dhe luftërat në ish-Jugosllavi, Kurti tha se të dyja vendet kanë luftuar për çlirim dhe pavarësi nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.

“Si dy vende që kanë luftuar për çlirim e pavarësi nga i njëjti regjim, si ai i Millosheviqit, dihet mirëfilli se kush ka kryer krime në katër luftërat në ish-Jugosllavi. Lufta e drejtë e popullit të Kosovës ka qenë e pastër dhe çlirimtare karshi regjimit gjenocidal të Serbisë. Prandaj, theksova se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara, përveçse i pasaktë, është i padrejtë dhe i rëndë. Krahas mohimit e fshehjes krimeve të kryera në Kosovë, Serbia vazhdon t’i mbajë të mbyllura dhe klasifikuara arkivat e saj, hapja e të cilave është thelbësore për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për të vërtetën dhe për drejtësinë. Në anën tjetër, fqinji verior, në mënyrë sistematike, vazhdon spastrimin etnik administrativ ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës nëpërmjet pasivizimit të adresave dhe përjashtimit nga institucionet”, ka shkruar Kurti.

Tutje, Kurti e cilësoi Kroacinë si shtet partner të Kosovës dhe popullin kroat si popull mik, ndërsa tha se në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Të fundit nga rubrika