Kurti: Në tri vjet qeverisje janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se buxheti vjetor këtë vit për kujdesin dhe investimet në trashëgiminë kulturore është më i larti ndonjëherë. Kurti ka theksuar se ky buxhet është trefish më i lartë sesa në vitin 2021. “Në tri vjet qeverisje, janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore – më shumë se […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se buxheti vjetor këtë vit për kujdesin dhe investimet në trashëgiminë kulturore është më i larti ndonjëherë.
Kurti ka theksuar se ky buxhet është trefish më i lartë sesa në vitin 2021.
“Në tri vjet qeverisje, janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore – më shumë se në dy dekadat pararendëse bashkë”, ka shkruar tutje Kurti në Facebook.
Ai ka njoftuar se në pjesën e parë të këtij viti, kanë përfunduar restaurimet në: Kullën e familjes Tafolli në Çadrak të Suharekës, Shkollën historike shqipe “Ismail Qemali” në Ferizaj, Mullirin e fshatit Majac të Podujevës i ndërtuar në shek. XIX, Mullirin e Cal Malushit në fshatin Kotradiq të Pejës, ndërtesën e shkollës së parë shqipe në Pejë.
Po ashtu, kryeministri Kurti ka thënë se kanë restauruar edhe Muzeun e Hidroelektranës në Prizren, Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren – faza e parë, Kullën e Gjyle Kadrisë në fshatin Rastavicë, Deçan, e ndërtuar në shek. XIX, Shtëpinë Kullë të Vesel Godenit në Viti, Kullën e Zeqë Ramë Sadrisë në Brovinë në Gjakovë.
Ai mes të tjerash ka shtuar se punimet po vazhdojnë e janë drejt përfundimit në: Shtëpinë e Hynilerëve në Prishtinë; Rezidencën e Presidentit Ibrahim Rugova; Shtëpitë tradicionale të Janjevës; Shtëpinë e familjes Kryeziu në Gjakovë, e cila karakterizohet me arkitekturë tradicionale të fundit të shek. XVIII; Shtëpinë e Adem Aga Gjonit në Prizren, e karakterizuar nga arkitektura tradicionale e shekullit XVIII.















