Në këtë 111-vjetor të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një ceremoni u mbajt në qytetin e Vlorës, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidentin Bajram Begaj, kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kryeministrin Edi Rama, morën pjesë në ngritjen e flamurit dhe bënë homazhe në “Sheshin e Flamurit”.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, Kurti shprehu urimet e tij për shqiptarët në këtë festë kombëtare, duke theksuar se 28 Nëntori është një ditë e madhe për flamurin dhe lirinë, për pavarësinë dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve kudo në botë, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe mërgatën.

Ai ka shtuar se edhe pse kjo është një ditë festimi, çdo ditë tjetër duhet të përkushtohemi për vlerat dhe synimet e personaliteteve të shquara të historisë shqiptare.

Kurti ka theksuar se duhet të punojmë për idealet e Skënderbeut nga Kruja, për vizionin dhe veprën e Ismail Qemalit nga Vlora, dhe për heroizmin dhe dedikimin e Adem Jasharit nga Prekazi.

“Ne ishim këtu për të bërë nderime në Vlorë me krerët institucionalë të shtetit shqiptar dhe pasdite do të jemi në Kosovë për të bërë homazhe te varrezat e Jasharajve në krye me kryekomandantin Adem Jashari”, ka thënë kryeministri Kurti.

Aktivitetet për shënimin e 28 Nëntorit, kësaj date themeltare të identitetit kombëtar shqiptar, kryeministri Kurti ka deklaruar se do t’i vazhdojnë edhe nesër.