Pas dështimit të 18-të radhazi të konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjes së kryeparlamentares së re, kryeministri në detyrë Albin Kurti, si rrallëherë ka folur për këtë temë.

Përkundër dështimeve të shumta në votimin e Albulenës Haxhiu, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Kurti ka thënë se tashmë problemi thelbësor nuk është emri i kandidatit, por mënyra e votimit.

Në një intervistë për RTK, Kurti tha se opozita duhet të pranojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“Nesër nuk është në pyetje Albulena, që është propozimi ynë, por është në pyetje pikërisht komisioni për votimin e fshehtë. Nëse opozita janë të sigurt që Albulena nuk kalon përsëri, le ta provojmë me votimin e fshehtë. Dhe porsa të konstituohet Kuvendi, si kryeministër në detyre, si kryet i VV-së, do t’i kem 61 vota minimum për qeverinë e re. Por, paraprakisht na duhet Kuvendi”, ka thënë Kurti.