Kurti nga Greqia: Provat tregojnë për përfshirje të Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Greqisë ku është duke marrë pjesë në një panel diskutues të organizuar nga “The Economist”. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti, nuk la pa e përmendur sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Ai tha se provat kanë treguar që shteti i Serbisë ishte i […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Greqisë ku është duke marrë pjesë në një panel diskutues të organizuar nga “The Economist”.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti, nuk la pa e përmendur sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Ai tha se provat kanë treguar që shteti i Serbisë ishte i përfshirë dhe kishte planifikuar invazion në veri të Kosovës.
“Më 24 shtator, 1 muaj më parë, agresioni që e kemi parë, kulmoi kur grupet paramilitare të armatosura që ishin trajnuar në baza ushtarake zyrtare të Serbisë, u futën në shtetin tim dhe hapën zjarr kundër forcave të Policisë, duke vrarë një prej zyrtarëve policorë. Njëkohësisht, Serbia u angazhua në atë që SHBA-të e përshkruan si angazhim të paprecedent të ushtrisë përgjatë kufirit tonë. Në ditët në vazhdim, një numër i madh i provash treguan për përfshirjen dhe planifikimin e një invazioni në shkallë më të madhe, nga vet shteti.”, tha Kurti.
Ai tutje ka treguar se si e kishte kuptuar për sulmin terrorist në Banjskë dhe vrasjen e policit Afrim Bunjaku.
“Në rastin e shtetit tim, kur Ministri im i Punëve të Brendshme, më telefonoi i më 24 shtator ndërmjet orës 3 e 30 e 4 të mëngjesit, më tregoi se një prej policëve tanë është vrarë në një pritë, pasi që dy kamionë kishin bllokuar rrugën, dhe me gjasë jemi me numër më të paktë, pasi që ka shumë paramilitarë dhe shtatë zyrtarë të policisë kishin shkëmbyer zjarr për mbi një orë me terroristët paramilitarë, derisa kishin mbërritur njësitet speciale. I kemi 380 kilometra kufi me Serbinë, që është më i gjatë se kufiri me tri shtetet e tjera që kufizohemi, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi, tha ai.
Kurti theksoi se armatimi i përdorur nga grupi terrorist në Banjskë, nuk mund të sigurohej pa ndihmë shtetërore. Ai u shpreh se pas këtij agresioni, janë ngjallur pikëpyetje për një sulm të ri nga Serbia në Kosovë.
“Ky fakt ishte i vetëkuptueshëm, meqë asnjë grup civilësh nuk do të mund të siguronte armatim të tillë, dhe ta transportonte përgjatë kufijve, pa të paktën mbështetjen e parezervë të qeverisë. Agresioni përfundoi jo me dëshirën për t’u tërhequr, por sepse u mbimanovruan strategjikisht. Që nga atëherë kemi mbetur duke pyetur nëse do të ketë një pjesë të dytë të këtij sulmi. Kërcënimi që shtetet autoritare paraqesin për Evropën, nuk është aspak ideologjik, dhe duhet ta adresojmë si të tillë”, tha Kurti.
Sipas tij Serbia nuk dëshiron ta pranojë atë marrëveshje për shkak se aty qëndron njohja “De Facto” e shtetësisë së Kosovës.
“Pra na duhet siguri për Kosovën, na duhen patrullime të përbashkëta ndërmjet NATO-s e policëve tanë përgjatë kufirit me Serbinë, por në të njëjtën kohë na dueht ta implemetojmë marrëveshjen që e kemi arritur. U ofrova për ta nënshkruar, më 27 shkurt në Bruksel e sërish e bëra më 18 mars në Ohër, por Beogradi nk do që ta nënshkruaj, pasi që përmbajtja e marrëveshjes është njohja defacto. Është e modeluar tek dy Gjermanitë e 1972, kur atëherë kancelari gjerman Ëilly Brandt, që përmbante njohjen e ndërsjellë, kjo është ajo që kemi me Serbinë. Ajo që nuk kemi, është implementimi”, tha ai.
Ai përmendi edhe furnizimin me armë të Serbisë nga Kina, derisa i bëri thirrje BE-së të mos i lejojnë shtetet si Serbia të kryejnë akte agresioni ndaj shteteve demokratike siç është Kosova.
“Fqinji ynë verior vazhdon ngritjen ushtarake, edhe duke marrë furnizime nga burime të reja, përfshirë një dërgesë të re nga Kina. Koha e tanishme, nuk është për të mos vepruar. Për të mbajtur sigurinë e Evropës në të ardhmen, është thelbësore që institucionet evropiane të mbyllin boshllëqet që lejojnë autoritarët të kryejnë akte agresioni e lufte kundër demokracive evropiane dhe vlerave të tyre. Secila dobësi që mbetet e hapur, sigurisht që do të shfrytëzohet për të minuar funksionimin e duhur të të sistemeve tona demokratike”, tha ai.















