Kurti nis konsultimet me pakicat për qeverinë e re
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka njoftuar se ka nisur takimet konsultative me partitë politike të pakicave për formimin e qeverisë së re, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Gjatë ditës së sotme, Kurti u takua me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, njëherësh […]
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka njoftuar se ka nisur takimet konsultative me partitë politike të pakicave për formimin e qeverisë së re, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Gjatë ditës së sotme, Kurti u takua me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, njëherësh kryetaren e Partisë së Re Demokratike (NDS), Emilija Rexhepi dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim dhe kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, të dy kanë konfirmuar mbështetjen për një qeveri të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vijoi takimet me partitë politike të pakicave, në kuadër të konsultimeve për formimin e qeverisë së re. Ai mirëpriti ministrin për Komunitete dhe Kthim dhe kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq. Përgjatë diskutimit, ministri Rashiq e përsëriti mbështetjen e tij ndaj kryeministrit Kurti për formimin e qeverisë së re dhe vazhdimit të bashkëpunimit të frytshëm edhe në mandatin e ardhshëm. Kryeministri Kurti e falënderoi kryetarin Rashiq për punën e madhe dhe kontributin e dalluar që ka dhënë për komunitetin serb në Kosovë për vetëm gjysëm mandati si ministër për Komunitete dhe Kthim. Ai shprehu gjithashtu vullnetin për vijimin e bashkëpunimit efikas dhe të frytshëm edhe në katër vjeçarin e ardhshëm për të arritur së bashku suksese të tjera dhe punë të mbara në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, thuhet në njoftim.















