Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është pishman që ka ofruar të nënshkruajë paketën që iu ofrua në Bruksel së bashku me draftin për Asociacionin, pasi siç thotë ai, ka tentuar të bëjë më të mirën e mundshme me këtë trashëgimi që i është lënë nga qeverisjet e kaluara.

“Nuk do të isha në këtë gjendje po të mos ishin disa dokumente me herët, me këtë trashëgimi që më është lënë nuk jam pishman sepse kam bërë më të mirën të mundshme”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se po t’i ofrohej vetëm drafti për Asociacionin nuk do ta pranonte, por se e ka pranuar si “pjesë të paketës”, ku përfshihet edhe Marrëveshja Bazë e Aneksi i Zbatimit.

Ai ka thënë se ka kërkuar që Kosova të jetë status-kandidat në BE dhe të anëtarësohet në Partneritetin për Paqe.

“Sa i përket pranimit të këtij draft-statuti, i ka vërejtjet e veta, unë kam ofruar nënshkrimin e paketës, po të më thonin pranoje vetëm draft-statutin, unë nuk do ta pranoja, por më thanë si pjesë e paketës është urgjencë e gjeopolitikës, atëherë ofrova të nënshkruaj”, ka theksuar ai.

Shefi i ekzekutivit në seancën e së premtes ka thënë se në takimin në Bruksel ka pasur një ide që drafti për Asociacionin të nënshkruhet vetëm nga Kurti, por do të ishte një show sipas tij, pasi normalizimi i marrëdhënieve duhet të nënshkruhet nga të dyja palët.

“Unë kam pranuar ta nënshkruaj. Ka pasur edhe një ide ta nënshkruaj vetëm unë, do të ishte një show. Duhet të nënshkruajnë dy palët për normalizim të marrëdhënieve”, ka vijuar Kurti.